zoom

Aktualitet

Vrasja e recepsionistit nga pronari i hotelit: Krim i dokumentuar, së shpejti ekstradimi nga Greqia

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, teksa doli sot në një konferencë për shtyp për operacionin ndërkombëtar kundër trafikut të klandestinëve me dokumente false, i koduar “Nomad”, ka folur mes të tjerash edhe në lidhje me vrasjen e recepsionistit Eraldo Nevruzi ditën e djeshme, nga një prej pronarëve të hotelit në Dhërmi.

Ai tha se janë drejt përfundimit procedurat për ekstradimin e autorit të dyshuar Gerald Shehu, i cili është ndaluar në Greqi teksa tentonte fluturimin me avion nga Korfuzi drejt Anglisë, aty ku jetonte, punonte dhe kishte familjen. Rrumbullaku tha se ngjarja tashmë është dokumentuar edhe me prova.

“Falënderoj strukturat e policisë për zbardhjen e vrasjes. Kemi pasur një koordinim shumë të mirë me partnerët grekë për shkëmbim e informacionit. U bë e mundja kapja e arrestimit. Jemi në procedurat e ekstradimit të shpejtë të personit. Kemi dokumentuar me prova ligjore dhe shkencore, dhe po shkojmë drejt finalizimit dhe ndarjes së motivit të këtij krimi të rëndë”, tha Rrumbullaku mes të tjerash. /ZOOM.AL/