zoom

Aktualitet

LAJM I RRALLË/ Presidenti Begaj dekoron gazetarin Sokol Balla: Është Mjeshtër i Madh

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh” gazetarin  Sokol Balla.

Presidenca bëri edhe një njoftim publik për rastin, për ta çuar këtë lajm në çdo cep të vendit.

Siç e do rasti i një dekorate të tillë, presidenca shpjegoi edhe motivacioin:

“Në shenjë vlerësimi për kontributin profesional të shënuar prej disa dekadash si gazetar i shquar në median e shkruar dhe atë elektronike. Me mirënjohje të merituar ndaj drejtuesit profesionist të televizioneve dhe redaksive të lajmeve, duke zhvilluar cilësi në gazetari dhe në debatet televizive”.

Motivacioni nuk mjaftoi, pasi presidenca shtoi në njoftimin e posaçëm se Presidenti Begaj vlerësoi figurën e Ballës si gazetar, reporter, drejtues i departamenteve të lajmeve si dhe drejtues i spikatur i programeve talk show në disa prej mediave më të mëdha në vend.

Gazetari Sokol Balla ishte vetë i pranishëm në marrjen e këtij titulli dhe tha dy fjalë për rastin.

“Nga ana e tij, z. Balla shprehu mirënjohjen ndaj Presidentit Begaj për vlerësimin”, – njoftoi presidenca, pa u zgjatur shumë në fjalën që kishte mbajtur gazetari.

Kjo është një lëvizje suprizë e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, pasi opinioni publik dhe më së shumti  qeveria po prisnin që ai t’i jepte autorizimin Ministrisë së Jashtme për të negociuar me Greqinë për kufirin detar.

Një burim i tha Zoom.al se Rama dhe stafi i ngushtë i tij janë zënë ngushtë nga ky vendim i beftë dhe po përpiqen të kuptojnë nëse me këtë lëvizje presidenti ka dashur të japë ndonjë mesazh të koduar.

Nuk përjashtohet mundësia që për këtë paqartësi të krijuar nga Presidenti të zhvillohet edhe një debat mediatik në një nga televizionet ku punon gazatari “Mjeshtër i Madh” ose që kryeministri të mbajë një konferencë shtypi për t’i kërkuar Begajt ashtu siç i kërkonte dikur Metës që ta mbajë dorën me dekoratat. /Zoom.al