zoom

Aktualitet

Lajm i fundit/ Ish-ministri Saimir Tahiri paraqitet në SPAK, a është thirrur dhe për “Xibrakën”…?

Një tjetër ish-funksionar i lartë socialist paraqitet në Prokurorinë e Posaçme.

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i liruar para kohe prej muajsh nga qelia, është paraqitur ditën e sotme në ambientet e SPAK-ut. Tahiri shfaqet në publik për herë të parë pas daljes nga burgu, ndërsa duket i transformuar në pamje.

Vetë ish-deputeti socialist nuk dha asnjë reagim, teksa edhe nga institucioni nuk ka informacione për shkakun e thirrjes. Ai shoqërohej nga avokati i tij, Maks Haxhia. Informohet se ndaj tij SPAK ka nisur edhe një hetim pasuror, pasi u dënua nga ish-Krimet e Rënda, sot GJKKO.

Besohet se Tahiri mund të jetë thirrur për shkak të dënimit në proces i kthyer me kusht, ose për çështje me interes të palëve të treta, pra dosje hetimore aktive nga Prokuroria për zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë. Një nga hipotezat, përveç faktit se po hetohet për pasurinë, është edhe dosja “Xibraka”, pasi ai ka qenë ministër në kohën e operacionit. SPAK ka rihapur hetimet pas denoncimit të PD-së për fakte të reja.

Tahiri u dënua me 3 vite dhe 4 muaj burgim me gjykim të shkurtuar nga Apeli i GJKKO, për dosjen “Habilaj”, me akuzën “shpërdorim detyre”, pasi u jepte makinën e tij personale kushërinjve nga Vlora, të arrestuar për organizatë narkotrafiku nga Shqipëria në Itali me skafe dhe gomone, duke implikuar edhe policinë në ndihmë ligjistike dhe fikje radarësh.

Tahiri i mohoi akuzat, teksa pasi vuajti një vit nga Fieri në Kosovë të Lushnjës, pjesa tjetër e dënimit iu fal për shkak të problemeve shëndetësore familjare. /ZOOM.AL/