Aplikacion
Emri i tij ka dalë nga dëshmia e një prej autorëve të arrestuar të agresionit ndaj juristit. Doriaj Aliaj pranoi sulmin në ish-Bllok në Tiranë ditën e djeshme, teksa ka treguar edhe se kush ishte porositësi i sulmit. Aliaj tregon para hetuesve se sulmi është porositur nga Dritan Nano dhe autorët e tjerë e kanë kryer porosinë për miqësi. Policia e ka ndaluar Nanon menjëherë, por ky në dëshmi e mohoi.
Aliaj ka pranuar se dhuna ka ardhur si pasojë e konfliktit të lindur mes tyre dhe avokatit për pjesën e pagesave të kontratës për pronën. Më tej ai është shprehur se kishin si qëllim vetëm ta frikësonin avokatin, por nuk e kishin menduar se situata do të bëhej kritike.
Dritan Nano, ka hedhur poshtë akuzat dhe ka mohuar të jetë porositës i ngjarjes duke mos pranuar të bashkëpunojë me hetuesit. “Nuk e organizova unë sulmin ndaj avokatit. Nuk kam lidhje me ngjarjen”, ka dëshmuar para hetuesve autori i dyshuar si organizatori i sulmit ndaj avokatit Sokol Mëngjesi.
Sokol Mëngjesi ndodhet në gjendje kritike shëndetësore dhe në intubim, pasi ka dëmtim të rëndë të trurit. Mësohet se përfaqësuesi ligjor i Sali Berishës është nën monitorim intensiv nga stafi mjekësor dhe ndodhet në reanimacion.
Sokol Mëngjesi u dhunua brutalisht mëngjesin e djeshëm (29 Maj) kur sapo kishte lënë djalin në kopsht. Ai u godit nga Elton Kasaj, Drivald Alija, dhe Dorian Alia, të cilët më pas u larguan me makinë nga vendngjarja ndihmuar nga Romario Tabaku. Tre autorët e tjerë të identifikuar janë ende në kërkim. /ZOOM.AL/