zoom

Bota

Kuvendi i Serbisë konstituohet mes protestave, opozita betohet në korridor

Seanca konstituive e Kuvendit të Serbisë, ku u konfirmuan mandatet e deputetëve të përbërjes së re, kaloi me fishkëllima nga opozita.

Deputetët e opozitës ishin para foltores me pankarta ku shkruhej “I keni vjedhur zgjedhjet” dhe “Hajdutë kthejini mandatet”.

Lista e opozitës Serbia kundër dhunës pretendon se zgjedhjet e dhjetorit ishin të parregullta, gjë që pushteti e refuzon.

Për shkak të akuzave për vjedhje zgjedhore, deputetët e koalicionit Serbia kundër dhunës e kanë bërë betimin në korridorin e Kuvendit dhe jo në sallë.

Siç thanë ata, nuk kanë dashur ta bëjnë betimin me njerëz që kanë fituar mandate duke “vjedhur në zgjedhje”.

Para tyre këtë e kanë bërë deputetët e koalicionit të djathtë Shpresa, i cili përbëhet nga Partia e Re Demokratike e Serbisë dhe Lëvizja për Rimëkëmbjen e Mbretërisë së Serbisë.

Seanca konstituive e Kuvendit të Serbisë ka zgjatur rreth gjysmë ore. Gjatë asaj kohe vetëm janë konfirmuar mandatet ndërsa deputetët kanë bërë betimin. Kryesuesi tha se do të njoftohen për vazhdimin e seancës.

Serbia kundër dhunës: Ndërprerja e seancës, “fitore” e opozitës
Deputeti i koalicionit Serbia kundër dhunës, Radomir Lazoviq, ka vlerësuar se ndërprerja e seancës konstituive është “fitore” e opozitës.

Deputetja e kësaj liste, Marinika Tepiq, deklaroi në korridorin e Kuvendit se policia në sallë i ka ndarë deputetët e opozitës nga deputetët e shumicës qeverisëse.

Në vazhdim të seancës së parë, e cila nuk duhet të jetë në të njëjtën ditë, deputetët duhet të zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, të emërojnë sekretarin e përgjithshëm, të zgjedhin anëtarët e trupave punues, si dhe anëtarët e përhershëm të delegacioneve parlamentare në institucionet ndërkombëtare.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit, mandatet i fituan 10 lista zgjedhore, pesë prej të cilave janë pakicë.

Partia Progresive Serbe (SNS) me partnerët e saj të koalicionit do ta ketë shumicën në Kuvend.

Lista e saj zgjedhore, Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk duhet të ndalet, fitoi 129 nga gjithsej 250 mandate deputetësh. Për të pasur shumicën parlamentare kërkohen 126 mandate.

I dyti për nga numri i ulëseve në Kuvend është koalicioni opozitar Serbia kundër dhunës, me 65 mandate. /ZOOM.AL/