zoom

Politikë

Kush urdhëroi demontimin dhe shkelja urdhrit të Meksit, biznesmeni Pinari dëshmon për “Gërdecin”

Ish-drejtori i kompanisë “Meico”, Ylli Pinari, ka dëshmuar këtë të mërkurë në procesin ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu për çështjen “Gërdeci”.

Pinari, i shpallur fajtor në dosjen e parë “Gërdeci” për shpërdorim detyre, rrëfeu si ishte vënë në kontakt me Patrik Henry, përfaqësuesin e SAC, kompania që ishte e përfshirë në demontimin e armëve.

Pinari tha se Patrik Henry kishte krijuar në Shqipëri kompaninë “Albademil”, ku bashkë-aksioner ishte Mihal Delijorgji.

“Fillimisht kemi pasur komunikime me email. Pas shkëmbimit të informacionit, Patriku propozoi krijimin e një linje demontimi, – tha Pinari. – MEICO nuk është përfshirë në procesin e përcaktimit të Gërdecit si vend demontimi”, shtoi ai.

Patric Henry ishte presidenti i “Southern Anmmunition Company”, i cili lidhi kontratën me ministrinë e Mbrojtjes për çaktivizimin e municionit të kalibrit të rëndë, të predhave të artilerisë në Gërdec.

Ai ishte bashkëpronar me 25% të aksioneve në kompaninë “Alba Demil” me Delijorgjin dhe në Shqipëri përfaqësohej nga Rrahman Selmanllari.

Ndërsa Ylli Pinari, ish-drejtori i ndërmarrjes shtetërore “MEICO” u dënua me 5 vite burg për tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec ku humbën jetën 26 vetë, u plagosën mbi 300 të tjerë dhe u shkatërruan me mijëra biznese e banesa, por u lirua me kusht në vitin 2014.

Pjesë nga dëshmia e Pinarit:

“Nga viti 2001 kur jam emëruar në krye të MEICO kam marrë informacion se, në kuadër të hyrjes në NATO, deri në 2008-2010, stoku i municioneve të ushtrisë duhet të evandohej. Në nga ana tjetër duhet të verifikonim që të mos shisnim municion tek vende që kishin embargo, apo në kompani jo serioze.

Ka një vendim të qeverisë Meksi, që përcakton se tepricat e municioneve duhet të shiten “në blerësin e parë”.

Ne ndërkohë ishim të detyruar që të gjitha shitjet që realizonim duhet t’i raportonim tek Presidenti, kryeministri, ministria e mbrojtjes dhe KLSH.”, tha Pinari.

Mes të tjerash ai u ndal te një urdhër i ri i vitit 2002 që sipas tij urdhëronte që tepricat e municioneve të shiteshin, asgjësoheshin apo demontoheshin.

“Në një urdhër tjetër të vitit 2002 urdhërohej që tepricat e municioneve të shiteshin, demontoheshin, apo asgjësoheshin. Gërdecin si vend demontimi e ka përcaktuar Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Urdhri 2044 i ministrit të Mbrojtjes u gjet me shkelje pasi Meico ngarkohej për te garantuar sigurinë e procesit, por kjo nuk ishte detyra jonë.”, pohoi ai.