zoom

In Zoom

Kush fitoi nga bumi turistik?

“Prodhimi i Brendshëm Bruto në Shqipëri u rrit me 3.23% në terma realë, në tremujorin e dytë të këtij viti ndërsa deklaratat e qeverisë për bum turistik me rritje mbi 50% në numrin e turistëve apo në numrin e netëqëndrimeve duket se nuk përputhet me rritjen ekonomike reale as të turizmit dhe as të ekonomisë në tërësi.”

Konstatimi i mësipërm është i Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative (BIRN). Thënë më thjesht, 7.2 milionë turistët që hynë këtë vit në Shqipëri shpenzuan aq pak sa, “efekti në ekonominë e përgjithshme të vendit është i papërfillshëm”.

Në tremujorin e dytë, thotë INSTAT, rol kryesor në rritjen ekonomike pati Ndërtimi dhe Aktivitetet e Pasurisë së Patundshme.

Po përse turizmi nuk solli të ardhura dhe kush fitoi nga butimi i propaganduar nga qeveria?

Në reportazhet e televizioneve apo gazetave të huaja që shkruajtën për Shqipërinë, me ose pa pagesë, vihej re një fakt thelbësor: shumica e turistëve vinin në grupe të organizuara me pagesa të papërfillshme në total. Për shembull, francezët deklaruan se paguanin 1,300 euro në total për të qëndruar 1 javë në Shqipëri. Në këto 1,300 euro përfshihej bileta e autobusit deri në aeroport në Paris apo qytete të tjera, bileta e avionit vajtje – ardhje, autobusi nga Rinasi në Tiranë apo në ndonjë qytet tjetër, hoteli në Tiranë apo ndonjq qytet tjetër dhe ushqimi.

Nëse fluturimi do të zinte një të katërtë e shpenzimeve, rezulton se çdo turist francez ka shpenzuar rreth 140 euro për fjetje dhe ngrënie në Shqipëri.

Gjithësecili mund ta imagjinojë, veçanërisht operatorët turistikë, pronarët e hoteleve, bareve apo restoranteve, se çfarë fitimesh mund të kesh nga një turist me një buxhet të tillë.

Turizmi masiv, siç paralajmëruan disa agjenci të huaja, shpesh nuk përkthehet në të ardhura, madje shndërrohet edhe në problematikë.

Qeveria, nëpërmjet një operacioni propagandistik (PR) të kuruar trumpetoi sikur hallet e shqiptarëve do të merrnin fund një herë e mirë, pasi ekonomia do të lulzonte tashmë nga turistët që kishin zbuluar më në fund një vend përrallë ku mund të pushoje rehat e me pak para.

Që turistët pushuan me pak para, këtë e tregojnë të dhënat e INSTAT: “rritja e sektorit “Arte, argëtim dhe çlodhje” ka kontribuuar në tremujorin e dytë me vetëm 0.26% të rritjes totale prej 3.23% të ekonomisë”.

Nga të dhënat e deritanishme rezulton se sektori që pati përfitime reale ishte ai i transportit ajror. Përveç kompanive të fluturimeve ajrore, veçanërisht ato low cost, si Wizz Air, i fituari i madh i “bumit turistik” ishte Aeroporti i Tiranës.

Me mbi 5 mijë pasagjerë që mendohet të ketë pasur ai deri tani, ka afro 40 milionë euro të ardhura vetëm nga 10 euroshi që koncesionari merr për çdo pasagjer mbi 12 vjeç. Edhe vitin e kaluar koncesionari i Tirana International Airport pati 8.3 miliardë lekë xhiro ose afro 80 milionë euro.

Me kaq të ardhura, koncesionari, siç ka raportuar edhe më parë Zoom.al, arrin të shlyejë të gjithë investimin prej 99 milionë eurosh që ka marrë përsipër të bëjë, në këmbim të shtimit të kontratës me 13 vjet të tjera, duke e çuar në total në 20 vjet. Fitimet marramendëse të çdo viti po nxjerrin zbuluar ideatorët dhe hartuesit e kontratës koncesionare dhe po shtojnë presionin ndaj autoriteteve për të dhënë shpjegime se mbi ç’bazë vendosën ta shtyjnë kontratën me 2 dekada në këmbim të 99 milionë eurove investime në një kohë kur fitimet po rezultojnë se mund të arrijnë deri në 700 milionë euro. /Zoom.al