zoom

Aktualitet

Kush është Leonard Palushi, ish –shefi i krimeve që SPAK e do në burg

SPAK çoi sot në gjykatë dosjen për ish –shefin e krimeve në Policinë e Lezhës, Leonard Palushin. Më 19 maj 2022 ai u arrestua nën akuzën se ndihmoi jnë grup kriminal duke prishur provat e ekzekutimit të Emiljano Ramazanit, gjatë kohës që shërbente në policinë e Elbasanit.

Sipas policisë, Leonard Palushi i kishte dhënë informacion policisë së Elbasanit se pistoleta që u përdor në vrasjen e Ramazanit në vitin 2020, gjendej në servisin e familjes së Seit Manahasës nga Peqini.

Manahasa u arrestua bashkë me të birin. Por hetimet zbuluan se arma ishte vënë në servis nga Klevis Kapllanaj, një person i paguar nga Erjon Alibej, i cili dyshohet se ishte porositësi i vrasjes së Ramazanit.

Pjesë e planit për të fajësuar Manahasat ishte edhe Leonard Palushi. Kur u arrestua nga kolegët e tij ai pranoi se njihej me Erjon Alibejn dhe se e kishte takuar atë disa herë në shtëpinë e tij teksa ai ishte në kërkim për një vrasje të mbetur në tentativë.

SKEMA

Seit Manahasa ishte mik me Talo Çelën, të shumëkërkuarin për grabitjen e Rinasit, i cili është përfshirë në një konflikt të egër me Erjon Alibejn.

Vrasësi me pagesë Nuredin Dumani, i kthyer në një bashkëpunëtor të drejtësisë, tregoi pas arrestimit gjatë operacionit “Plumbi i Artë” se ishte ai që me porosi të Alibejt kishte organizuar dhe koordinuar veprimet që arma e krimit e përdorur në vrasjen e shtetasit Emiljano Ramazani të vendosej në servisin në pronësi të Seit Manhasës. Ai i tha policisë se Manhasat ishin shokët e Talos dhe ishin vrasës me pagesë.

Qëllimi i Erjon Alibejt ishte që të shkaktonte një konflikt mes Manhasave dhe grupit të Talo Çelës, pasi Emiljano Ramazani ishte pjesë e grupit të Talos. Në skemë u përfshi polici Leonard Palushi, i cili i orientoi enkas hetimet gabimisht. SPAK ka vërtetuar se ai e kishte ndihmuar Alibejn edhe në shumë raste të tjera.

LIDHJET E ISH –SHEFIT TË KRIMEVE ME DROGËN DHE VRASJEN E KOLEGUT TË TIJ

Në vitin 2017 Leonard Palushi u shkarkua nga detyra me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako. Përjashtimi lidhej me faktin se ai kishte neglizhuar luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve në zonën e Kurbinit. Vendimi erdhi pas kapjes së 200 kilogramëve drogë në zonën e Matit.

Por pak kohë pas shkarkimit, Leonard Palushi u rikthye në radhët e policisë. Në vitin 2020 ai punoi në Elbasan dhe më pas u transferua në Lezhë, me detyrën e shefit të krimeve. Ai ishte prezent në momentin e vrasjes së kolegut të tij, Saimir Hoxha, nga 21 -vjeçari Aldi Rama, i cili më pas u vetëvra. Ngjarja ndodhi në zonën e Kune Vainit, ku tre efektivë policie po kryenin një aksion kundër kultivimit të kanabisit.

Për këtë ngjarje, ai do të jepte këtë deklaratë në polici.

“Pas ndalimit të mjetit unë së bashku me Petrit Dodën jemi afruar nga ana e shoferit dhe Petriti ka komunikuar me shoferin e mjetit duke i thënë se jemi punonjës policie dhe i ka kërkuar një dokument identifikimi, letër njoftim ose patentë të drejtuesit të mjetit, në këtë kohë drejtuesi i mjetit ka zbritur nga mjeti, Saimiri ka shkuar tek personi që ishte në sediljen e parë dhe i ka kërkuar një mjet identifikimi i cili iu bind dhe zbriti nga mjeti, ndërkohë Saimiri i është drejtuar pasagjerit që ishte ulur në sediljen e pasme, pas pasagjerit në anën e djathtë të mjetit duke i thënë se kush jeni ju dhe a keni dokument. Unë kam dëgjuar se ky pasagjer i ka thënë Saimirit “unë nuk jam për t’u kontrolluar” dhe menjëherë kam dëgjuar një krismë armë zjarri dhe kam parë Saimirin duke lëvizur për nga mbrapa mjetit, ndërkohë unë dhe Petriti jemi shmangur në pjesën ku ishte ndaluar makina e policisë në anën e rrugës nga laguna. Gjatë kësaj kohe që u shmangëm për tu pozicionuar përballë mjetit të policisë kam nxjerrë armën e shërbimit dhe kam parë se automjeti i këtyre personave u nis me shpejtësi për tu larguar në drejtim të Lezhës dhe kam qëlluar disa herë me armën e zjarrit të shërbimit në drejtim të këtij mjeti duke mbajtur vijën e shënimit në pjesën e poshtme të mjetit dhe gomave, ku mjetit i është çarë goma dhe ka vazhduar rrugën në drejtim të Lezhës. Menjëherë së bashku me Petritin kemi bërë bllokimin e dy personave duke i shtrirë në tokë. Më pas, Petriti ka ikur për të parë Saimirin dhe sapo e ka parë më ka thënë që Saimiri është plagosur. Menjëherë kam lajmëruar ambulancën dhe kemi mbajtur dy personat për t’i shoqëruar në polici.”

ÇFARË THOTË SPAK

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se në bashkëpunim me Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë përfunduar hetimet dhe dërguar për gjykim procedimin penal në ngarkim të të pandehurit Leonard Palushi, akuzuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike’’.

Gjatë ushtrimit të detyrës së tij si Shefi i Sektorit për Hetimin e Krimeve në Elbasan gjatë vitit 2020, Palushi ka krijuar raporte me të hetuarin Erjon Alibej dhe ka marrë tërthorazi prej tij perfitim te parregullt për të kryer në vijimësi veprime që lidhen me detyrën e tij si punonjës policie në mbështetje të Alibejt.

Hetimi ka provuar se Leonard Palushi ka marrë në datën 23.06.2020 nga Erjon Alibej një përfitim të parregullt, automjet tip “Mercedes Benz”. Palushi e ka mbuluar faktin e dhurimit dhe pronarin e vertetë të këtij mjeti duke paraqitur si blerës nje shtetas të njohur të tij.

Mjeti Mercedes-Benz, C300, benzinë, është tjetërsuar më pas duke u shkëmbyer me mjetin tip TOYOTA RAV4, automat, ngjyrë gri e errët.

Pasi ka marrë makinën, Leonard Palushi e ka mbështetur të hetuarin Alibejn me veprime në kuadër të detyrës së tij si punonjës policie në mënyrë të vazhdueshme, duke u takuar me të, takime këto për të cilat eproret e tij deklaruan se nuk ishin në dijeni.
Më 27.07.2020 me kërkesë të Erjon Alibejt Leonard Palushi ka dhënë informacionin mbi vendndodhjen e armës tek servisi i Manahasëve, me qëllim që sipas kërkesës së Alibejt të krijohej konflikt midis dy grupeve. /Zoom.al