zoom

Politikë

Kush është Gabriel Attal, kryeministri 34-vjeçar homoseksual i Francës

Gabriel Attal është zgjedhur kryeministri i ri i Francës, një ditë pasi Elisabeth Borne u dorëhoq.

Në moshën 34-vjeçare, Attal është kryeministri më i ri në moshë në Francën moderne, duke tejkaluar edhe Laurent Fabiusin që ishte zgjedhur në moshën 37-vjeçare.

Përzgjedhja është përpjekje e presidentit Emmanuel Macron për të rifreskuar mandatin e tij të dytë, para zgjedhjeve parlamentare më vonë gjatë vitit.

I zgjedhur për herë të parë si deputet makronist në vitin 2017, Attal u emërua Sekretar i Shtetit për Rininë në 2018 dhe zëdhënës i qeverisë dy vjet më vonë.

Më pas, në fillim të mandatit të dytë të Macron, i deleguar ministër për financat publike, përpara se të bëhej ministër i arsimit këtë verë.

Më 20 dhjetor 2023, gjatë intervistës në programin ‘Cà vous’ në France 5, Emmanuel Macron vlerësoi ‘energjinë dhe guximin e Gabriel Attal në luftën e betejave të nevojshme’, dhe sipas një sondazhi të publikuar më 4 janar nga Figaro, ministri është më i popullarizuari në qeveri, me disa pikë përpara Bruno Le Maire (i Financave).

Gabriel Attal, 34-vjeç, prej vitit 2017 pranoi zyrtarisht se është në një lidhje dashurie me një partner mashkull, Stéphane Séjourné, (ish-kandidat për President) me të cilin aktualisht bashkëjeton.

Ata u njohën në një takim pune në vitin 2015, por zyrtarizuan lidhjen dy vjet më vonë.

Kush është Gabriel Attal?

Attal vlerësohet si ekspert i komunikimit me njohuri politike. Në CV-në e tij, përfshihet puna si zëdhënës i La République En Marche në vitin 2018, në lëvizjen pro Macron e njohur tani si Rilindja, puna si zëdhënës i qeverisë nga 2020 deri në 2022, kur bota përballej me Covid 19 dhe Macron kërkonte të rizgjidhej.

Attal bëhet po ashtu kryeministri i parë homoseksual në Francë. Ai u celebrua me kandidatin kryesor të Rilindjes për zgjedhjet evropiane të 2024, Stéphane Séjourné. Megjithatë, dy liderët nuk e kanë konfirmuar asnjëherë publikisht lidhjen e tyre.

Vlerësimi i Attal u rrit ndjeshëm gjatë gjashtë muajve të fundit, sipas Politico, duke bërë që ai të fitojë pikë edhe para ish-kryeministrit dhe kandidatit presidencial Edouard Philippe. Ky i fundit, u cilësuan si politikani më popullor i Francës, sipas një sondazhi të IPSOS në dhjetor.

Shokët e klasës e kanë votuar për president… Attal ka rënë në sy gjithnjë për njohuritë e tij politike, aq sa në vitin 2012, shokët e klasës e përshkruanin atë si presidentin e ardhshëm të vendit. Më pas, ai ndoqi shkollën private të Parisit l’Ecole Alsacienne me Juan Branco, ish-avokatin e Julian Assange. Në një intervistë televizive më vonë, ai rrëfeu se në shkollë ishte shenjestër e ngacmimeve homofobike dhe Branco ishte “i fiksuar pas tij”, akuzë që avokati e ka mohuar.

Ndërsa kur u emërua ministër i arsimit, Attal u kritikua nga disa kundërshtarë politikë se kishte ndjekur ekskluzivisht shkolla private gjatë fëmijërisë së tij. Punën e nisi duke ndaluar abajat, rrobat e gjata të veshura nga gratë myslimane në shkolla. Si ministër i Arsimit, ai punoi ngushtë me gruan e Emmanuel Macron, Brigitte. Attal dhe ish-mësuesja bashkëpunuan për zhdukjen e bullizmit në shkolla. Zonja e parë franceze mbështeti disa nga propozimet e ministrit të ri, përfshirë propozimin për uniformat e detyrueshme për nxënësit.