Aplikacion
Lajmi bëri zhurmën e parashikuar ditën që rrodhi nga zyrat e AMP, po zyrtarizimi i tij sot u la në hije nga zhvillime të tjera (çështja e ish-kompleksit Partizani me protagonistë familjen Berisha).
Veliu la detyrën e tij si drejtues i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore një vit pas marrjes së saj.
Para kësaj detyre, Veliu shërbeu si zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, ku u vendos pas ikjes nga drejtoria e Përgjithshme e Policisë.
Ai ka shërbyer si drejtues i policisë vendore Tiranë dhe asaj rrugore.
Prezenca e Veliut në strukturat policore është shoqëruar gjithmonë me zhurmë.
Një ndër skandalet me më shumë ndikim tek qytetarët ishte dhuna e efektivëve të tij ndaj një të mituri, i cili kishte kaluar orën e karantinës. Kur ai u pyet për ngjarjen, Veliu publikoi një video demaskuese të nënës së të miturit, me armë.
Një tjetër efektiv i Veliut, Nevaldo Hajdaraj, tashmë në burg, qëlloi për vdekje të riun Klodian Rasha, po për të njëjtën arsye si më lart. Vrasja e të riut nga Policia solli një revolt të qytetarëve ndaj Policisë së Shtetit, duke bërë që për disa ditë në vend, situate të ishte tejet e tensionuar.
Protestuesit kërkonin shkarkimin e Ardi Veliut, por morën përgjigje negative nga vetë kryeministri Rama. Në vend të tij u “sakrifikua” asokohe ministri Lleshaj, i cili mori përgjegjësi dhe kërkoi falje për ngjarjen.
Ndërkohë që drejtësia shqiptare dhe ajo greke kërkonin “Escobarin e Ballkanit”, Klement Balili, Ardi Veliu shfaqej si shoferi i tij.
Por Sandër Lleshaj nuk qe i vetmi ministër që Veliu sakrifikoi. Para tij, Fatmir Xhafa u dorëhoq si ministër i Brendshëm. Së fundmi, Bledi Çuçi u shkarkua nga kryeministri Rama, për ngjarjen e rëndë në Krujë ku fisi Rraja dhunuan dy banorë të zonës.
Pak ditë pas kësaj ngjarje, ministri Taulant Balla që zëvendësoi Çuçin, shprehu rezervat e tij për Agjencinë që drejtonte Veliu.
Teksa fliste për qëllimet e tij, Balla ngriti një pyetje, drejtuar Ardi Veliut: “Pyetja ime kaq kohë pas krijimit të Agjencisë si një derivat i SHKB-së së dikurshme, sa drejtues a shefa komisariatesh të Policisë së Shtetit janë kapur me presh në duar? Por ata janë të vegjël, të mëdhenjt nuk janë kapur ende”.
Në kabinetin Rama, qortimi publik është gjithmonë paralajmërim dhe mesa duket profecia erdhi!/Zoom.al