zoom

Politikë

Kush e do të vdekur? Dritan Abazoviç kërcënohet me jetë

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç kërkoi nga drejtuesit e policisë publike dhe sekrete që të hetojnë kërcënimet që ai ka marrë për shkak të arrestimit të oficerit të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, Petar Lazoviç. Po ashtu, Abazoviç ka njoftuar Ministrin e Punëve të Brendshme, Filip Axhiç, drejtorin e Administratës së Policisë, Zoran Brđanin dhe drejtorin e ANB-së, Sava Kentera.

Ai tha për “Vijesti” se u ka kërkuar që të mblidhen informacione, ndërsa deklaron se grupet e afërta me Petar Lazoviçin dhe babain e tij Zoran, ish-zyrtar i lartë i policisë, po e cilësojnë atë si fajtorin kryesor për arrestimin dhe po planifikojnë një lloj hakmarrjeje.

Kryeministri nuk ka dashur që “Vijesti” të saktësojë se kush nga rrethi i Lazoviçit e ka në shënjestër, duke e mbajtur si përgjegjës për arrestimin e “Juniorit”.

“Nuk do të heq dorë as edhe një milimetër, pa marrë parasysh kërcënimet, tonet ekstremiste, gjuhën e urrejtjes misionin e krijimit të shtetit ligjor. Përkundrazi, përpjekjet për sabotim, tonet ekstremiste, gjuha e urrejtjes apo kërcënimet janë të kota. E di që kjo shkakton zhgënjim tek shumë njerëz, por ne kemi treguar se Mali i Zi po ecën në rrugën e lirisë dhe nuk ka vend për kartelet e drogës, kontrabandistët e cigareve apo elitat e korruptuara. Jam informuar nga disa burime se grupet e afërta me Lazoviçin ishin kryesisht në shënjestër për shkak të problemeve të tyre me ligjin. Ata po përpiqen të krijojnë një atmosferë në të cilën unë, nga pozita e kryeministrit, gjoja po u bëj presion prokurorëve që ta ndjekin penalisht Lazoviçin dhe grupin kriminal-biznes të njerëzve rreth tyre,”- tha kryeministri Abazoviç.

Ai gjithashtu shtoi se beson se autoritetet nuk do t’i relativizojnë kërcënimet që ai merr./ Zoom.al