zoom

Kosova

Kurti viziton Turqinë, takohet me Erdogan: Zbutja e tensioneve me Serbinë, zhvillim pozitiv!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në pallatin e tij ne Ankara ditën e djeshme.

Biseda mes tyre përqendrohet te situata e sigurisë në Kosovë, tensionet në veri, gjendja ne Ballkanin Perëndimor dhe provokimet e shpeshta të Serbisë. Në pritjen, e cila zgjati 1 orë e 50 minuta, ishin të pranishëm edhe nënpresidenti Cevdet Yilmaz dhe ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Yashar Gyler.

Siç njofton zyra për informim e Presidencës turke, gjatë takimit u diskutuan marrëdhëniet Turqi-Kosovë, konflikti Izrael-Hamas, si dhe problemet rajonale dhe globale. “Gjatë takimit, presidenti Erdogan theksoi rëndësinë e rritjes së vëllimit tregtar mes Turqisë dhe Kosovës, me synimin që të kalojë 1 miliard dollarë, e cila aktualisht është në rreth 750 milionë dollarë. Ai gjithashtu theksoi potencialin për rritje shtesë në sektorë të ndryshëm, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes”, u tha në njoftim.

Presidenti turk shprehu përkushtimin e Turqisë për të vazhduar mbështetjen e Kosovës në të gjitha fushat. “Ai po ashtu përmendi se Kosova pritet të ndërmarrë veprime, veçanërisht në fushën e kundër-terrorizmit. Ai vuri në dukje se zbutja e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një zhvillim pozitiv, por është thelbësore të shihet përparim i prekshëm në zgjidhjen e kësaj çështjeje”, u tha më tej në komunikatë.

Gjithashtu po flitet për thellimin e bashkëpunimit mes Prishtinës dhe Ankarasë ne fusha si diplomacia e jashtme dhe ekonomia. Kryeministri Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, dhe zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, do të takohen dhe me ministrin e Punëve të Jashtme te Turqise, Hakan Fidan.

Sipas një komunikate të Qeverisë, qëndrimin në Turqi, kryeministri Kurti do ta vijojë në Stamboll, ku do të marrë pjesë në forumin e parë ekonomik të bizneseve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Trupat e NATO- së në Kosovë që nga fillimi i këtij viti, drejtohen nga Turqia. Gjithashtu ky shtet ka rritur prezencën e ushtareve në Kosovë me afro 200 trupa.

“Diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe, raportet ndërinstitucionale, zhvillimet rajonale dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik e tregtar, si dhe ato të sigurisë e mbrojtjes”, thuhet në komunikatë, sipas raportimit të REL. Kurti do të marrë pjesë të hënën në forumin e parë ekonomik mes Kosovës dhe Turqisë, i cili, sipas tij, do të jetë mundësi për thellimin e marrëdhënieve dhe rritjen e investimeve mes dy vendeve.

Verën e kaluar, Kosova bleu dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia. Kurti tha asokohe se me blerjen e tyre, Kosova “është edhe më e sigurt”, dhe shtoi se oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë trajnuar tashmë për përdorimin e dronëve. Se sa dronë u blenë, nuk u bë e qartë atë kohë. Sipas komunikatës të premten, Kurti e falënderoi Turqinë për mbështetjen që ajo i ka dhënë Kosovës në përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare.

“Kryeministri Kurti…shprehu edhe falënderimin për përkrahjen e Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për votën e deputetëve turq në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill të këtij viti dhe qëndrimin e Qeverisë së Turqisë në Komitetin e Ministrave të kësaj organizate”, thuhet tutje në komunikatë. Asambleja Parlamentare e NATO-s e miratoi këtë muaj rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar.

Kjo Asamble është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare. Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s. Por edhe pse Kosova dështoi të anëtarësohej në Këshillin e Evropës, edhe pse i kishte kaluar me sukses dy fazat e para, pasi Komitet të Ministrave s’e futi fare në agjendë votimin për anëtarësimin e saj, duke thënë se ajo nuk ka bërë hapa të mjaftueshëm drejt formimit të një Asociacioni të komunave me shumicë serbe. /ZOOM.AL/