zoom

Bota

“Kurti po na terrorizon”/ Serbët do të bllokojnë çdo të hënë kalimin e mjeteve shqiptare në Merdare

Mediat serbe shkruajnë se nga sot(5 shkurt) serbët do bllokojnë rrugët për makinat me shoferë shqiptarë që duan të udhëtojnë për në Serbi.

Bllokimi do bëhet nga ora 12:00 deri në 15:00, çdo të hënë, në shenjë kundërshtimi të “terrorit” që sipas tyre, qeveria e kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit po u bën serbëve.

“Bllokimi i rrugës do të jetë çdo të hënë për tre orë derisa të ndalet terrori i përditshëm ndaj popullit tonë në Kosovë e Metohi. Terrori që po përjeton populli serb dhe populli tjetër joshqiptar është bërë i padurueshëm dhe është shumë afër një konflikti me pasoja të paparashikueshme”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së serbëve të Zhvendosur nga Kosova.

Kjo shoqatë pretendon se serbët e zhvendosur kanë pritur 25 vjet që të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të fillojnë një jetë të re me fqinjët e tyre shqiptarë “të cilët nuk kanë kryer krime”.

Ata kërkojnë nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç, ministri i jashtëm Ivica Daçiç dhe anëtarët tjerë të qeverisë serbe që “urgjentisht t’u dërgojnë një letër të gjitha organizatave relevante ndërkombëtare, për të ndalur urgjentisht terrorin dhe arrestimin e serbëve të pafajshëm”.

Ky grup ende kërkon “kthimin urgjent të një mijë ushtarëve serbë në Kosovë”, duke përmendur Marrëveshjen e Kumanovës dhe Rezolutën 1244.

Kosova ditët e fundit ka qenë në qendër të vëzhgimit nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të cilët e kanë kritikuar për heqjen nga qarkullimi të dinarit serb dhe mbylljen e zyrave të strukturave paralele serbe në Pejë.