Aplikacion
“Kam nderin të jem kryeministri i parë që paraqet një buxhet të katërt në një mandat, duke shënuar qeverinë e parë që e ka përmbyllur tërësisht mandatin e saj,” tha Kurti para deputetëve. Ai kishte të drejtë.
Që nga shpallja e pavarësisë nga Serbia në vitin 2008, Kosova ka kaluar përmes gjashtë qeverive dhe pesë kryeministrave të ndryshëm dhe asnjë prej tyre nuk ka përfunduar një mandat të plotë.
Kjo arritje është pasojë e fitores masive të partisë së tij, Vetëvendosje, në zgjedhjet e vitit 2021, çka i mundësoi të qeverisë i vetëm. Kryeministri 49-vjeçar, Kurti dëshiron ta marrë këtë rekord në zgjedhjet e ardhshme të 9 shkurtit, por qeveritë nuk vlerësohen vetëm për qëndrueshmërinë e tyre, paralajmëron sociologu dhe analisti politik, Artan Muhaxhiri nga Prishtina.
Zgjedhjet e vitit 2021 shkatërruan opozitën, pasi Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ranë në 17% dhe 12% respektivisht, krahasuar me më shumë se 50% të Vetëvendosjes. Kurti në thelb mori një mandat të plotë për të vepruar si të donte, por rezultatet kanë qenë “shumë zhgënjyese,” tha Muhaxhiri.
“Historia e vlerëson një lider në bazë të përmirësimit të jetës së qytetarëve, si dhe konsolidimit të brendshëm dhe të jashtëm të vendit, e jo sa kohë kanë qëndruar në pushtet,” tha ai.
Përplasja me mbështetësit e Perëndimit
Një ish-i burgosur politik në Serbinë e Slobodan Milosheviçit, Kurti e themeloi Vetëvendosjen si lëvizje në fillim të viteve 2000, duke u ngritur kundër mbikëqyrjes perëndimore të Kosovës pas Luftës 1998-1999 dhe përpjekjeve për të arritur një zgjidhje të negociuar për statusin përfundimtar të territorit përmes bisedimeve me Serbinë. Lëvizja kanalizoi frustrimin e popullit ndaj statusit të paqartë të Kosovës si një protektorat i Kombeve të Bashkuara, deri në shpalljen e pavarësisë më 2008.
Në vitin 2020, Vetëvendosje ishte në qeveri, por vetëm për 50 ditë, pasi partneri i koalicionit, LDK, rrëzoi aleancën. Kurti u hakmor pas një viti me një fitore të madhe zgjedhore të Shën Valentinit, duke premtuar të intensifikonte luftën kundër korrupsionit, rritjen e ekonomisë, nxitjen e punësimit dhe përmirësimin e arsimit.
Kuvendi miratoi një sërë reformash në drejtësi, një ligj që kufizonte çmimet dhe një tjetër për pagat në sektorin publik, por ato u sfiduan vazhdimisht nëpër gjykata, duke ngadalësuar ritmin e ndryshimeve. Sa i përket bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE për “normalizimin” e marrëdhënieve me Serbinë, e cila nuk e njeh Kosovën si të pavarur, Kurti shpesh ka thënë se ato janë “të gjashta ose të shtata” në listën e prioriteteve të tij.
Ironikisht, mandati i tij do të kujtohet më shumë për një marrëveshje historike me Serbinë që ende nuk është zbatuar, tensionet e shpeshta me pakicën serbe në veri të Kosovës, dhe një përçarje me aleatët më të mëdhenj perëndimorë.
Mes frustrimit perëndimor për tendencën e Kurtit për të vepruar njëanshëm dhe papritur në kundërshtimin e ndikimin serb në veri, Bashkimi Europian vendosi një paketë sanksionesh financiare dhe diplomatike ndaj Kosovës në mesin e vitit 2023, ndërsa edhe Shtetet e Bashkuara shprehën pakënaqësinë e tyre.
Sfida e presidencës së dytë të Trump
Dritëro Arifi, ekspert i Shkencave Politike thotë se votuesit mund të japin ende merita për linjën e ashpër që ka mbajtur Kurti ndaj institucioneve të mbështetura nga Serbia në veri, por kjo mund të mos jetë e mjaftueshme. “Publiku do të kërkojë më shumë deri në ditën e zgjedhjeve,” tha ai. “Ata do të pyesin se çfarë ka ndodhur me premtimet që nuk janë përmbushur.”
Muhaxhiri tha se veriu ende është një punë në proces.
“Ndryshimet në veri kanë filluar, por nuk janë përfunduar ende,” tha ai. “Sensibiliteti jashtëzakonisht i madh i kësaj teme do të thotë që do të duhen shumë kohë derisa të gjendet një zgjidhje përfundimtare, e qëndrueshme dhe e pranueshme universalisht.”
Kthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë paraqet një sfidë të re. Kurti kishte një përplasje publike me dërguarin e Trump për rajonin gjatë administratës së tij të parë.
Gjatë presidencës së Joe Biden, Prishtina dhe Beogradi arritën një marrëveshje të gjerë të “normalizimit” në vitin 2023 me ndërmjetësimin e BE-së, por ajo ende nuk është zbatuar mes tensioneve të shpeshta midis dy shteteve.
Muhaxhiri tha se Kurti kishte humbur një “mundësi të artë” për të zgjidhur çështjet me Serbinë gjatë administratës Biden, “e cila kishte njohuri të thella politike dhe gjithashtu përvoja personale të kompleksitetit të Ballkanit”. Trumpizmi, tha ai, është “pashmangshmërisht më i ashpër” dhe “ofron më pak mundësi për negociata”.
Nëse një qeveri e re e Kurtit i kundërshton planet e dërguarit të ardhshëm të Trump në rajon “me të njëjtën pasion” siç e bëri qeveria me përfaqësuesit e administratës së Biden, “pasojat për Kosovën do të jenë të menjëhershme dhe të dhunshme,” tha Muhaxhiri.
Arifi ishte pak më optimist. “Besoj se Kurti i ka nxënë mësimet dhe do të dijë si të përshtatet me politikën e jashtme amerikane,” tha ai.
“Opozita e traumatizuar”
Në planin politik të brendshëm, Muhaxhiri tha se zgjedhjet e vitit 2021 i kishin lënë partitë e opozitës në Kosovë “të traumatizuara”. “Gjatë gjithë mandatit të kësaj qeverie, opozita e Kosovës nuk ka treguar besimin se ka ndonjë ide sesi të deshifrojë stilin politik të Kurtit,” tha ai. “Ka qenë shumë pasive dhe e paqartë në koncepte, e vonuar në reagime dhe e paaftë të ofrojë zgjidhje konkrete për kritikat që ka bërë.”
Në fund të mandatit të tij, megjithatë, Kurti ka pak për të treguar në lidhje me rezultatet, tha Muhaxhiri. “Mungesa e rezultateve në zhvillimin ekonomik, përmirësimin e mirëqenies, dështimet në investimet kapitale dhe dëmtimi i marrëdhënieve me aleatët duhet të ndëshkohen me votë,” tha ai.
Nëse Vetëvendosje do të arrijë rezultate të mira në zgjedhje, “kjo nuk do të jetë për shkak të qeverisjes së saj të mirë, por për shkak të gabimeve të opozitës dhe dështimit të saj për t’u konsideruar si një alternativë,” tha Muhaxhiri.
Arifi tha se është e natyrshme që Kurti ta konsiderojë qëndrueshmërinë e qeverisë së tij “një gjë pozitive.” Por, ai paralajmëroi se “kjo nuk do të thotë që qeveria ka pasur sukses.”
“Është një gjë e mirë, por nuk do të thotë që qeveria ka bërë një punë të shkëlqyer,” përfundoi ai./ Reporter.al