zoom

Aktualitet

Kundërshtoi izolimin në “41 Bis”, GJKKO rrëzon Sokol Mjacajn. Vrau dhe Lleshin para mbylljes

Sokol Mjacaj, i dënuar me burg përjetë dhe autor i sulmit në Burgun e Peqinit katër muaj më parë, ka kundërshtuar vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për t’u izoluar në regjimin “41 Bis”.

Ai e ka cilësuar të padrejtë, por kjo kërkesë është rrëzuar. Dyshohet se pikërisht ky vendim u bë shkak për masakrën në burg, duke vrarë Arben Lleshin dhe plagosur një tjetër, vetëm pak orë para se të izolohej.

Mjacaj është dënuar për vrasjen e dy turistëve çekë në Shkodër shtatë vite më parë, gjatë grabitjes.

Njoftimi zyrtar:

“Kërkuesi, Sokol Mjacaj, më datë 03.01.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Kundërshtimin e udhërit Nr. 685, datë 15.12.2023 të Ministrit të Drejtësisë “Për vendosjen në regjimin e posaҫëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë të të burgosurit Sokol Mjacaj”.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 112 dhe dhe 471 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 25, datë 25.03.2024, vendosi:

Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit Sokol Mjacaj. Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të kërkuesit.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi. Tiranë, më datë 25.03.2024. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”. /ZOOM.AL/