zoom

Aktualitet

Kullë e re tek Dhoma e Tregtisë!

Ansamblit të kullave në qendër të Tiranës do t’i shtohet edhe një tjetër qiellgërvishtës gjigand.

Bashkia e Tiranës ka hyrë në marrëveshje me kompaninë “Ideal construction” për ndërtimin e një kulle të madhe tek ish-Dhoma e Tregtisë, ngjitur me Eyes of Tirana.

Sipas marrëveshjes, e cila është miratuar nga Këshilli Bashkiak në mbledhjen e datës 25 janar, bashkia do t’i japë 1100 metër truall shtetëror, përfshire godinën e Dhomës se Tregtisë, kompanisë Ideal Construction dhe në këmbim do të marrë 50 për qind të sipërfaqes ndërtimore në kullën e re.

Detajet për numrin e kateve dhe sipërfaqen ndërtimore të kullës së re do të përcaktohen kur të merret leja e ndërtimit.

Por sipas vendimit të Këshillit bashkiak, bëhet fjalë për një ndërtesë të madhe me intensitet ndërtimi 10.1.

Marrëveshja tregon se Bashkia e ka dhënë tokën me çmime tregu duke përfituar në këmbim 50 për qind të sipërfaqes ndërtimore, përafërsisht aq sa marrin dhe pronarët private kur hyjnë në marrëveshje me ndërtuesit.

Por ngulja e një çibani të ri betoni në qendrën e mbingarkuar të Tiranës ngre pikëpyetje në aspektin urbanistik dhe atë historik te kryeqytetit.

Kulla e re zhytet sandviç mes Eyes of Tirana dhe pallatit ku gjendet banka Raiffeisen në hyrje të Rruges së Kavajës, duke krijuar një kompleks intensiv betoni në qendrën e kryeqytetit.

Përveç kësaj, Ideal Construction, kompania në pronësi të Armand Lilos është e njëjta që ndërtoi kullën Eyes of Tirana duke shtuar tetë kate pa leje.

Shkelja e lejes së ndërtimit klasifikohet si vepër penale dhe sipas ligjit shoqërohet edhe me sanksione administrative, deri në heqjen e licencës.

Në këtë pike lind pyetja: A duhet të hynte bashkia e Tiranës në marrëveshje biznesi duke i dhënë tokë shtetërore për zhvillim një kompanie, e cila shkel lejen e ndërtimit dhe ligjet në fuqi / Klodian Tomorri -MCN TV

Postime të lidhura