zoom

In Zoom

Kujt i shërben rikthimi i Lulzim Bashës

Në një shkrim të pak ditëve më parë Zoom.al paralajmëroi ekzaktësisht atë që ndodhi mbrëmjen e kaluar, diktatin e Kryesisë së kontrolluar nga Lulzim Basha për të hapur rrugën për rikthimin e tij në grupimin që mban logon e PD. (LEXO KETU)

Kryesia, në 8 orë diskutime, nuk u dha asnjë hapësirë propozimeve që zgjedhjet për kryetarin të shtyhen, me qëllim dy grupimeve të demokratëve t’u jepej kohë për të gjetur një mekanizëm bashkimi.

Mbështetësit e Bashës kërkuan zgjedhje pa vonesë. Nxitimi i tyre është një paradoks më vete për aq kohë sa ata qëndruan në heshtje për më shumë se 1 vit kur ky grupim nuk pati kryetar pas dorëheqjes formale të Lulzim Bashës dhe komandimit të Enkelejd Alibeajt në krye të tij.

Gazment Bardhi, Jorida Tabaku u shprehën hapur kundër një rikthimi të Lulzim Bashës në krye të grupimit që mban logon e PD.

“Në kushtet që jemi ne nuk kemi luksin të përsërsim të njëjtat gabime! Pyetja që sot duhet t’i bëjmë vetes është nëse duam një parti të kryetarit apo kryetar për partinë tonë? Ne duhet patjetër të hapim PD, duhet të përpiqemi mos bëjmë procese të njënashme, duhet të përfshijmë këdo”, deklaroi Jorida Tabaku pas mbledhjes së tensionuar të Kryesisë.

Në shenjë refuzimi ndaj diktatit dhe mekanizmave për të rikthyer Bashën në krye të këtij grupimi, ajo u dorëhoq edhe nga posti i nënkryetares.

“Pas vendimit të kryesisë për të vazhduar procesin zgjedhor, kërkova që të gjejmë një dakordësi për mënyrën si?! Në gjykimin tim veprimet e tilla të njëanshme si në të shkuarën kanë ndikuar në zvogëlimin e PD dhe kanë sjellë në një situatë si kjo e sotmja. Prandaj refuzova të votoj për një vendim që në mendimin tim na dëmnton sot për mënyrën se si po merret dhe në kushtet në të cilat po merret!. Duke pasur parasysh gjithë situatën, vendosa që të tërhiqem edhe nga pozicioni i nënkryetares së PD!” -deklaroi Tabaku.

Pak orë më vonë Gazment Bardhi shpërtheu duke akuzuar mbështetësit e Bashës për shantazh dhe duke i quajtur ata si një grup paramilitar, për shkak të presionit që u bënë vazhdimisht deputetëve që nuk duan rikthimin e Bashës në mbledhjen e kryesisë.

“Dhuna verbale, presioni dhe shantazhi kundër deputetëve të PD që mendojnë ndryshe nuk janë mjete politike. Kjo sjellje prej grupimi paramilitar hedh në erë bashkëjetesën brenda kësaj force politike dhe dërrmon në mënyrë përfundimtare besimin e qytetarëve tek PD. Duke dënuar me forcë aktet e dhunës kundër deputetëve të PD, anëtarëve të Kryesisë dhe gazetarëve, u kërkoj secilit kolegë të distancohen publikisht prej tyre. Përmes dhunës, presionit dhe shantazhit nuk ndërtohet asgjë afatgjatë, në interes të demokratëve dhe të Shqipërisë”, deklaroi Bardhi.

Bashkë me Tabakun e Bardhin edhe shumica dërrmuese e deputetëve janë shprehur kundër rikthimit të Lulzim Bashës në krye të grupimit të mbetur në siglën e PD. Ata ia kanë refuzuar propozimin Bashës në sy, siç raportoi Zoom.al disa ditë më parë. Edhe në mbledhjen e Kryesisë të zhvilluar dje, u kërkuan mbështetësve të Bashës të gjenin bashkarisht një formulë tjetër për bashkimin e demokratëve.

Por ata refuzuan. Një grupim që qëndronte jashtë, “paramilitarë” siç i quajtur kryetari i grupit parlamentar, kërcënuan këdo që bënte propozime që nuk i shkonin përshtat Bashës.

Në këtë presion, Kryesia që kontrollohet nga Basha vendosi zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar më 29 korrik. Lulzim Basha duket se tani e ka rikthimin vetëm formalitet, sepse në grupimin e tij kanë mbetur vetëm një grup militantësh që do ta votojnë pa më të voglin dyshim. Deputetët dhe ata që kërkojnë bashkimin e demokratëve si e vetjma mënyrë për të mundur Edi Ramën, po largohen.

Disa deputetë i thanë Zoom.al se nëse Lulzim Basha zgjidhet në krye të PD, ata do të largohen nga grupi parlamentar. Pa grup parlamentar Basha do ta ketë të vështirë të jetë faktor në parlament e në jetën politike. Por mbetet për t’u parë nëse ata do ta zyrtarizojnë vendimin.

A është rikthimi i Bashës në interes të demokratëve?

Lulzim Basha humbi të gjitha garat zgjedhore në 8 vite të qëndrimit të tij në krye të PD. Ai e çoi PD në krizën më të madhe historike kur pa pyetur forumet e Partisë vendosi të përjashtojë nga PD dhe nga grupi parlamentar liderin historik të saj, Sali Berishën.

Përplasja e demokratëve kulmoi me protestën e janarit 2022 para selisë së PD, ku Basha ndërmori një akt ekstrem duke i vendosur selisë së PD dyer të blinduara dhe duke futur brenda ambienteve të saj persona me precedentë penalë, të cilët goditën ata që protestonin jashtë dhe tentuan të futen në seli.

Ky ishte akti më paprecedent në historinë e një partie politike.

I dëbuar nga selia, Lulzim Basha u detyrua të japë formalisht dorëheqjen, por ai nuk e zyrtarizoi kurrë atë, duke e mbajtur partinë peng edhe në zgjedhjet e 14 majit.

Grupimi i Lulzim Bashës pësoi disfatën më të rëndë në garën zgjedhore për pushtetin vendor. Megjithatë ai fajësoi Sali Berishën se nuk i bëri dot demokratët fitues, ndonëse mekanizmat e tij e detyruan Berishën të kandidonte nën ombrellën dhe emrin e Ilir Metës.

Me gjithçka pësuan demokratët nën drejtimin e Lulzim Bashës, rikthimi i tij në krye të PD është mëse e sigurt se nuk u shërben atyre. Sikundër as qëndrimi i Sali Berishës nuk është aspak premtues për të parë të gjithë opozitën bashkë përballë pushtetit të pakufizuar që ka akumuluar Edi Rama dhe Partia Socialiste.

Me rikthimin në krye të “PD-së së vulës”, Lulzim Basha do të ketë sërish mundësinë të ulet përballë Ramës apo ndonjë delegacioni ndërkombëtar si përfaqësues i demokratëve dhe opozitës. Por a përfaqëson ai vërtetë opozitën? A është ai politikani që mund të ngjallë shpresën që varrosi për 8 vjet se mund t’i sjellë demokratët në pushtet? A është ai njeriu rreth të cilit bashkohen miliantët demokratë dhe qytetarët e paangazhuar politikisht për të rrëzuar një qeveri të gjithëpushtetshme si kjo e socialistëve? A nuk e panë shqiptarët për 8 se çfarë qe i aftë të bënte ai?

Në të tilla kushte ai nuk duket se ka shanse për të përmbushur kërkesat e demokratëve dhe atyre që nuk e pranojnë dot një qeveri të cilës i bien vazhdimisht në burg për vjedhje ministra, deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë e zyrtarë të tjerë të lartë.

Po të dëgjosh akuzat e Berishës dhe të tijëve, rikthimi i Bashës i shërben vetëm Edi Ramës. Por pa grup parlamentar dhe pa elektorat, a do të mundet Basha t’i plotësojë kërkesat e Ramës? /Zoom.al