zoom

Bota

Ku qendron Gjermania në përplasjen e pritshme mes Ukrainës dhe Rusisë?

Thirrjet e Ukrainës drejtuar aleatëve perëndimorë për të forcuar aftësitë e saj mbrojtëse kanë bërë që Shtetet e Bashkuara, Britania dhe shtetet baltike të bien dakord të dërgojnë në Kiev armë, duke përfshirë raketa antitank dhe kundërajrore.

Danimarka po dërgon avionë luftarakë në Lituani dhe një fregatë në Detin Baltik. Franca ka ofruar të dërgojë trupa në Rumani. Spanja po dërgon një fregatë në Detin e Zi. Presidenti Biden ka vënë mijëra trupa amerikane në “gadishmëri të lartë”.

Dhe pastaj është Gjermania. Ditët e fundit Gjermania, demokracia më e madhe dhe më e pasur e Europës, e vendosur strategjikisht në udhëkryqin mes Lindjes dhe Perëndimit, ka spikatur më shumë për atë që nuk do të bëjë sesa për atë që po bën sipas The New York Times.

Qëndrimi i Gjermanisë për furnizimet me armë “nuk korrespondon me nivelin e marrëdhënieve tona dhe situatën aktuale të sigurisë”, tha Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba në Twitter.

Ministri i Ukrainës theksoi se “sot uniteti i Perëndimit në raport me Rusinë është më i rëndësishëm se kurrë.

“Partnerët gjermanë duhet të ndalojnë së minuari unitetin me fjalë dhe veprime të tilla dhe të inkurajojnë presidentin Vladimir Putin për të nisur një sulm të ri ndaj Ukrainës”, tha Kuleba.

Ukraina është “mirënjohëse” ndaj Gjermanisë për mbështetjen që ka dhënë tashmë, por “deklaratat e saj aktuale janë zhgënjyese”, shtoi ai.

Më herët të shtunën, Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht tha se Berlini do të dërgojë një spital fushor në Ukrainë, duke hedhur poshtë edhe një herë thirrjet e Kievit për armë.

“Dorëzimi i armëve nuk do të ishte i dobishëm për momentin, ky është konsensusi brenda qeverisë,” tha Lambrecht.

Debati mbi armët gjermane u shpalos disa ditë pasi kreu i marinës gjermane dha dorëheqjen pas kritikave brenda dhe jashtë vendit për komentet që ai bëri për Ukrainën dhe Rusinë. Duke folur në një ngjarje të premten në Indi, zëvendësadmirali Kay-Achim Schoenbach tha se ishte e rëndësishme të kishim Rusinë në të njëjtën anë kundër Kinës dhe sugjeroi që presidenti rus Vladimir Putin meritonte “respekt”.

Hezitimi i dukshëm i Gjermanisë për të marrë masa të forta ka nxitur dyshime për besueshmërinë e saj si aleat, duke përmbysur dinamikën me Shtetet e Bashkuara në vitet e fundit dhe shtoi shqetësimet se Moska mund të përdorë lëkundjet gjermane si një pykë për të ndarë një përgjigje të bashkuar europiane ndaj çdo sulmi rus.

Presidenti Biden zhvilloi një video-telefonatë me liderët europianë të hënën mbrëma, duke thënë se ajo shkoi “shumë, shumë, shumë” mirë dhe më parë kancelari Scholz përsëriti se Rusia do të vuante “kosto të larta” në rast të një ndërhyrjeje ushtarake. Por aleatët e Gjermanisë kanë mbetur ende të pyesin se çfarë kostoje është e gatshme të përballojë për t’u përballur me agresionin e mundshëm rus.

“Brenda Bashkimit Europian Gjermania është thelbësore për të arritur unitet,” tha Norbert Röttgen, një ligjvënës i lartë konservator dhe avokat i një politike të jashtme gjermane më muskulare. “Qëllimi i Putinit është të ndajë europianët dhe më pas të ndajë Europën dhe SHBA-në. Nëse mbizotëron përshtypja se Gjermania nuk është plotësisht e përkushtuar ndaj një përgjigjeje të fortë të NATO-s, ai do të ketë arritur të paralizojë Europën dhe të përçajë aleancën”.

Por qeveria gjermane jo vetëm që ka përjashtuar çdo eksport armësh në Ukrainë, por po mban gjithashtu një dërgesë me nëntë aviatorë të epokës komuniste nga Estonia në Ukrainë.

Friedrich Merz, lideri i ri i emëruar i partisë konservatore të opozitës së Angela Merkelit, ndërkohë, ka paralajmëruar kundër përjashtimit të bankave ruse nga rrjeti i transaksioneve të pagesave Swift, i cili trajton transfertat financiare globale, sepse kjo do të “dëmtonte” interesat ekonomike të Gjermanisë.

Debati rrëqethës se ku qëndron saktësisht besnikëria gjermane nuk është i ri. Marrëdhëniet ruso-gjermane janë formësuar nga shkëmbimet shekullore tregtare dhe kulturore, por edhe nga dy Luftërat Botërore. Lufta e Ftohtë shtoi një shtresë tjetër kompleksiteti: Gjermania Perëndimore u përfshi fort në aleancën perëndimore ndërsa Gjermania Lindore jetonte nën pushtimin sovjetik sipas The New York Times.

Kjo nuk do të thotë se Gjermania ka dështuar t’i bëjë ballë Rusisë vitet e fundit.

Në vitin 2014, kur zoti Putin pushtoi Ukrainën dhe aneksoi Krimenë, ishte zonja Merkel ajo që mblodhi vendet fqinje në Lindje dhe Perëndim për të mbështetur sanksionet e ashpra ndaj Rusisë.

Por ndryshimi i lidershipit gjerman pas 16 vitesh të zonjës Merkel ka krijuar një qeveri që është e ndarë se sa e vështirë duhet të vendoset një vijë me Rusinë.

Socialdemokratët e zotit Scholz kanë favorizuar tradicionalisht një politikë të punës me rusët. Në vitet 1970, kancelari Willy Brandt krijoi politikën e afrimit me Moskën gjatë Luftës së Ftohtë, ndërsa kancelari i fundit socialdemokrat, Gerhard Schröder, nuk është thjesht një mik i ngushtë i zotit Putin (ai festoi ditëlindjen e tij të 70-të me të), por ka ka qenë në listën e pagave të kompanive ruse të energjisë që nga viti 2005.

Rusia është furnizuesi kryesor i Europës me gaz natyror. Sapo Nord Stream 2 të jetë funksional, Gazprom do të jetë në gjendje të shesë gaz shtesë për klientët europianë pa paguar tarifat e tranzitit në Ukrainë.

Ndërsa zonja Baerbock, Ministrja e Jashtme e Partisë së Gjelbër, nuk ka ngurruar të shprehë armiqësinë e saj ndaj projektit, zonja Merkel dhe z. Scholz e kanë mbrojtur atë për arsye ekonomike dhe sigurie energjetike dhe kanë përjashtuar prej kohësh mundësinë e përdorimit të tij si levë në bisedimet për sanksionet.

Vetëm javën e kaluar, duke qëndruar pranë Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, kancelari ndryshoi gjuhën e tij, duke thënë se “gjithçka” do të ishte në tryezë në rast të një pushtimi rus.

“Putini i dha NATO-s një arsye të re për të ekzistuar,” tha z. Dirsus i Institutit për Politikat e Sigurisë në Kiel. “Kush e di, ndoshta ai mund t’u mësojë gjermanëve një herë e mirë se bota ka ndryshuar dhe ata duhet të jenë të përgatitur të paguajnë për të mbrojtur paqen.”

Përgatiti për Zoom.al-Armand Kullau