zoom

Aktualitet

Ktheu tokën në plantacion me fidanë kanabisi në Malësinë e Madhe, në kërkim 49-vjeçari

Zbulohet një parcelë me kanabis sativa në Malësi të Madhe, teksa u identifikua edhe autori i aktivitetit të paligjshëm.

Në kuadër të megaoperacionit të koduar “Territor i pastër”, në kërkim u shpall një 49-vjeçar dhe po hetohet për bashkëpunëtorët e mundshëm.

“Si rezultat i kontrolleve, goditet një rast i kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Gruemirë. Sekuestrohen 373 fidanë dhe bimë narkotike cannabis sativa, bimë narkotike në proces tharjeje dhe një sasi municioni luftarak. Identifikohet autori i dyshuar dhe vijon puna për kapjen e tij.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në fshatin Gruemirë, gjetën të mbjella 321 fidanë dhe 52 bimë narkotike. Gjithashtu, në këtë territor, në ambientet e objekti në pronësi të shtetasit P. C., u gjetën disa bimë narkotike në proces tharjeje dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Nga veprimet hetimore për këtë rast u identifikua dhe u shpall në kërkim autori i dyshuar, teksa po vijon puna për kapjen e tij dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

“Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër”, tha policia. /ZOOM.AL/