zoom

Aktualitet

Ktheu “Çairet” e Kaninës në “shtëpi bari”, pranga 24-vjeçarit. Kapet dhe i kërkuari për trafik

Një i ri u arrestua dhe po hetohet për bashkëpunëtorët, pasi akuzohet se kishte ngritur një shtëpi bari, me qëllim prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.

Burime zyrtare thanë se u kap nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, një 24-vjeçar nga Kanina e Vlorës, në kuadër të aksionit të koduar “Çairet”.

Si rezultat i të cilit, në vitin 2021, në fshatin Kaninë, u sekuestruan 262 kg kanabis.

Gjithashtu u arrestua dhe një 40-vjeçar, i akuzuar si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal që ndihmonte emigrantë, kundrejt pagesës, që të kalinin ilegalisht kufirin. Ky shtetas u kap si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Vlorë, pas shkëmbimit të informacionit me DVP Tiranë.

“Si rezultat i kontrolleve nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, është kapur dhe ndaluar shtetasi E. K., 24 vjeç, banues në Vlorë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Çairet”, pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetasit F. K. dhe K. K. (të ndaluar me herët nga Policia), kishte përshtatur një ambient, si serë, me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, ku Policia gjeti fidanë narkotikë të kultivuar në serë dhe në kubikë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Po si rezultat i kontrolleve nga shërbimet e Policisë Rrugore, pas shkëmbimit të informacioneve me DVP Tiranë, është kapur shtetasi K. Gj., 40 vjeç, banues në Vlorë. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale “ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, ”grupi i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”.

Dosjet për të dyja rastet i kaluan Prokurorive Vlorë dhe Tiranë. /ZOOM.AL/