zoom

Politikë

“Kryeministri ble një vazo druri 4 mln euro”, Berisha: Në këmbë deri në largimin e tij

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar ditën e sotme një takim me strukturat drejtuese të degëve 2 dhe 5 në Tiranë në selinë blu, ndërsa ka folur me ta një ditë para mocionit me debat që do mbahet në Parlament.

Berisha deklaroi se kryeministri Rama ka blerë “një vazo druri” për 4 milionë euro për oborrin e tij, duke thënë se kjo gjë është çmenduri dhe se nuk do ndodhte as në diktaturë.

Ai u bëri thirrje demokratëve për protestën e 3 marsit duke thënë se duhet të shndërrohet në ditën e protestës më të fuqishme dhe për t’i dhënë mesazhin Ramës që e cilësoi si “kufoma politike që fshihet e tmerrohet nga vetja e vetë”.

“Si mundet në një kohë kur pensionistët nuk blejnë dot ilaçet, të tjerë vuajnë për vaktin e darkës, të tjerë çdo orë përcjellin fëmijët jashtë vendit. Vendi ka fushat e naftës nën tokë ndër më të mëdhatë,, ka tokën pjellore, noton në ujëra. Shqipëria është e vogël por e krahasojnë me Norvegjinë sa i përket ujërave dhe ky vend sërish braktiset. Kishte një periudhë tjetër, nga viti 2007 në vitin 2014 popullata u rrit nga viti në vit. Nuk ishin të pasur njerëzit por varfëria ishte në zvogëlim. Njerëzit e ndjenin se gjendja e tyre përmirësohej. Energjia me 60 lekë Kë dhe taksat e ulëta i jepnin njerëzve mundësi financiare. Bandat u bënë zap, u futën ku e meritonin. Kurse ky sundon me krimin e drogën dhe vjedh gjithnjë e më shumë.

Tani mendon të përjashtojë PD-në nga zgjedhjet. Ne jemi me të drejtën tonë kushtetuese e ligjore. Kemi kryer gjithçka në përputhje të plotë absolute me ligjin, me statutin. Rama për të goditur shpall palë në proces një njeri që nuk ka qenë kurrë palë. S’mund të shpallet palë ai që nuk është, hera e parë kjo. Njësoj si Kristaq Rama që firmoste si xhelat, ky firmos çdo gjë. Nuk ka të ligë që ai njeri po mundi nuk e ndërmerr. Nuk ka asnjë kufi. Përpiqet e përpëlitet. Afera McGonigal nuk e lëshon atë përjetë. Ai në burg, ky do e ndjekë, nuk ka të ardhme. Mund të nxisë apo blejë sa të dojë dhe biletën do ia presim ne aty ku e meriton.

Ndaj dhe  në këto orë që na ndajnë nga data 3 mars, ora 12. Të bëjmë gjithçka për pjesëmarrjen më të madhe që ka njohur ndonjëherë bulevardi. E di se jeni angazhuar por dita e fundit është vendimtare. Me mbështetjen tuaj do elektrizoni Tiranën dhe çdo qytetar duhet ta ketë të qartë që kjo është lëizje qytetare.

Vendi nuk lëshohet në këtë mënyrë. E imagjinoni dot këtë ju. Po vazhduam kështu pas 16 vitesh nuk ka më Shqipëri, kush e di se kush vjen këtu. Kanë ngelur 2 të tretat e vendit. Do ngrihemi të heqim të keqen e madhe. Nuk ka armik të tillë në histori. Çdo shqiptar që i beson këtij vendi dhe që i kanë ikur fëmijët duhet të ngrihet. Duhet të ngrihemi. Çdo shqiptar që shikon ku është katandisur nga ekonomia, duhet të ngrihet. Në vitin 2013 kishim rrogat dhe pensionet më të larta në rajon, sot kemi më të ulëtat.

Kryeministri nuk mund të ndjejë kënaqësi më të madhe se rritjen e rrogave e pensioneve. I thoshte kryeministrit të Malit të Zi se ata kanë rroga më të larta se ne. Ne mund t’i rrisnim të paktën 3 herë, por po themi 2 herë pa vështirësi. Ky e ka rritur borxhin, gjithçka është kthyer në luks e vjedhje në kontot e qeveritarëve. A blen dot një vazo druri 4 mln euro për oborrin e tij një kryeministër. As në diktaturë nuk i bënin këto. 4 milionë euro është çmenduri e pashpirtësi ekstreme.

Ta shndërrojmë 3 marsin në ditën e protestës më të fuqishme dhe t’i japim mesazhin kufomës politike që endet e fshihet i tmerruar nga vetja e tij. Ne atij do t’i tregojmë vendin, jam i bindur se do ndodhë.