zoom

Lajme

Kroacia shpall “non grata” zv/kryeministrin dhe kryeparlamentarin malazez: Minuan fqinjësinë e mirë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë ka njoftuar sot Malin e Zi përmes një note drejtuar Ambasadës në Zagreb se ka shpallur kryetarin e Parlamentit malazez, Andrija Mandiq, deputetin Millan Knezheviq dhe zëvendëskryeministrin Aleksa Beçiq, persona të padëshirueshëm.

Zagrebi tha se ky vendim u mor për shkak se këta politikanë kanë kryer veprime të vazhdueshme për prishjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe për shkak të, siç u tha, abuzimit të Kroacisë për qëllime të brendshme politike.

“Ministria e Punëve të Jashtme shpreh keqardhjen që shumica në Parlamentin e Malit të Zi vendosi të shpërfillë thirrjet e vazhdueshme të Republikës së Kroacisë për të mos ndërmarrë lëvizje që mund të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe në rrugën evropiane të Malit të Zi. Në këtë kontekst, vihen në pah veprimet e zyrtarëve politikë të përmendur, të cilët nuk mund të konsiderohen dashamirës dhe fqinjësorë në raport me Republikën e Kroacisë dhe as nuk janë në përputhje me qëllimin e deklaruar për anëtarësim të Malit të Zi në Bashkimin Evropian”, u tha në njoftim.

Sipas Ministrisë kroate, fqinjësia e mirë është një ndër elementët kyçë të procesit të zgjerimit dhe atij të stabilizim asociimit “dhe një nga kriteret kryesore për vlerësimin e përparimit në procesin e anëtarësimit të Malit të Zi” në Bashkimin Evropian.

Kroacia tha se e mbështet anëtarësim e Malit të Zi në BE. “Republika e Kroacisë pret që Mali i Zi të sillet në përputhje me vlerat evropiane dhe në frymën evropiane dhe se të përqendrojë përpjekjet e tij në përmbushjen e mëtejshme të kushteve dhe kritereve në procesin e anëtarësimit”, u tha në njoftim. /ZOOM.AL/