zoom

Bota

Kriza në Ukrainë, Putin: NATO injoroi kërkesat tona

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin thotë se perëndimi “injoroi” shqetësimet e Moskës sa i takon sigurisë në lidhje me zgjerimin e NATO-s, ndërsa Shtetet e Bashkuara i kërkuan përsëri Rusisë të tërheqë forcat e saj nga zonat afër kufijve të Ukrainës.

 

Presidenti rus, Putin, i tha homologut të tij francez Emmanuel Macron në një telefonatë më 28 janar se pala ruse do të studiojë “me kujdes” përgjigjet me shkrim të paraqitura nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja këtë javë në lidhje me kërkesat e Moskës për garancitë e sigurisë “pas së cilës do të vendosë për hapat e mëtejmë.

Rusia po kërkon garanci sigurie nga Perëndimi në këmbim të një de-përshkallëzimi të krizës në Ukrainë, por Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja më 26 janar kundërshtuan kërkesat e Moskës.

NATO tha gjithashtu se dislokimet aleate të trupave dhe pajisjeve ushtarake në Evropën Lindore nuk janë të negociueshme.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke folur në një forum të Këshillit Atlantik më 28 janar, tha se aleanca ishte e gatshme të rriste praninë e saj në Evropën Lindore për t’i treguar Rusisë vendosmërinë e saj në mes të krizës në Ukrainë.

Stoltenberg, megjithatë, vuri në dukje se në këtë pikë, nuk ka “asnjë siguri” se Rusia planifikon të pushtojë Ukrainën.

Më herët, më 28 janar, ambasadori i SHBA-së në Moskë, John Sullivan tha se Uashingtoni po pret tani përgjigjen e Rusisë ndaj propozimeve të saj me shkrim për një rrugë diplomatike për të dalë nga kriza e Ukrainës.