zoom

Bota

Kriza e energjisë shqetëson BE-në

Kriza e energjisë që pritet krijojë vështirësi në gjithë botën këtë dimër po shqetëson veçanërisht krerët e vendeve të Bashkimit Europian. Ministrat e financave dhe ekonomisë nga vendet anëtare të unionit udhëtojnë këtë të Hënë drejt Luksemburgut, ku të Martën kanë në qendër të diskutimeve këtë shqetësim në mbledhjen e grupit Ecofin.

Ekspertët thonë se kriza e ka zanafillën tek çrregullimet që ka shkaktuar pandemia në tregjet globale. Çmimi i lëndëve djegëse ka pësuar rritje në tregjet globale muajt e fundit, prej kërkesës në rritje për energji kryesisht nga vendet e zhvilluara që po përpiqen të rigjallërojnë ekonomitë pas frenimit të ritmeve të zhvillimit në këto dy vite. Por shumë fusha ku nxirret gaz dhe naftëmbajtëse kanë më tepër se përgjysmuar kapacitetin prodhues nga mungesa e mirëmbajtjes dhe punëtorëve, po për shkak të pandemisë. Kjo ka bërë që kryesisht çmimi i gazit, së paku të dyfishohet këto muaj në tregjet ndërkombëtare.

Europa ka varësi nga gazi kryesisht gjatë dimrit, pasi kjo lëndë përdoret si për prodhimin e energjisë elektrike, ashtu edhe për ngrohje, teksa shihet edhe si burim energjie që përputhet më tepër me politikat pro-mjedisit që po ndjek unioni. Por teksa parashikohet një dimër i gjatë dhe i ftohtë rezervat e vendeve europiane të gazit janë 20% nën nivelet e nevojshme për të siguruar furnizim normal.

Moska, furnizuesi kryesor i kontinentit me gaz, që plotëson deri 40% të importit, nuk pranon të rrisë furnizimin në këto kushte urgjente. Analistët këtë e shohin edhe si formë presioni që vendet europiane të pranojnë gazsjellësin Nord Stream II, i kundërshtuar kryesisht nga Shtetet e Bashkuara. Kjo situatë ka bërë që shumë zyrtarë europianë të kërkojnë rishikimin e politikave që synojnë ta bëjnë BE-në liderin global të energjisë së gjelbër. Franca paralajmëron të heqë dorë nga planet për reduktimin e prodhimit të energjisë nga centralet bërthamore, me argumentimin se përveçse energjia atomike është energji e pastër, ul kostot dhe varësinë nga gazi rus në Europë. /Tv Klan