zoom

Politikë

Krisen marrëdhëniet mes Edi Ramës e Bajram Begajt

Bajram Begaj ishte i vetmi zyrtar i lartë që nuk mori pjesë në pritjen që kryeministri Edi Rama i bëri ish -presidentit amerikan Bill Clinton. Ai e kishte marrë ftesën, por nuk qe i pranishëm.

Këshilltarja e Presidentit Arta Sakja bëri me dije se Begaj nuk ka mundur të marrë pjesë për shkak të problemeve shëndetësore.

Por pa kaluar 24 orë nga ceremonia, presidenti ka pritur në zyrën e tij zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Numri 2 i qeverisë u pa të hynte rreth në mesditë në Presidencë. Zoom.al mëson se takimi mes tyre ka pasur në fokus disa çështje që kanë të bëjnë me kompetencat mes Kryeministrit dhe Presidentit.

Duket se divergjencat për disa kompentenca i kanë ndryshuar edhe marrëdhëniet mes kreut të shtetit dhe kryetarit të qeverisë.

Begaj u zgjodh në detyrë me 78 vota të socialistëve.

Kryeministri Rama do t’i bënte këtë deklaratë në takimin e parë mes tyre.

“Ne e kemi bindjen që ju do të jeni në lartësinë e asaj detyre sepse unë kam patur mundësinë ta çmoj punën që keni bërë dhe si Shef i Shtabit, nuk jemi njohur më parë, por me thënë të drejtën, të gjithë ata që morën fjalën, folën me respekt , folën me bindje që ju do të mund të bëni gjënë e duhur në atë detyrë. Kështu që unë dua t’ju uroj që të keni deri në fund atë besnikëri që ju karakterizon ndaj shtetit, të keni atë respekt që ju karakterizon për ligjin dhe atë forcë të madhe humanizmi që karakterizon të gjitha Forcat e Armatosura dhe patjetër ju si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura , cilësi këto që janë mëse të mjaftueshme për të besuar që ju do ta merrni shpejt përmasën e detyrës dhe do ta mishëroni atë simbolikë të unitetit kombëtar që është edhe vetë ADN-ja e Forcave të Armatosura.”

Por 1 vit pasi u votua në parlament, raportet duket se kanë ndryshuar. Ndërsa më 4 korrik të 2022 Rama e Begaj shtrëngonin duart, më 4 korrik të 2023 Zoom.al mëson se ata nuk kanë më asnjë komumikim të drejpërdrejtë mes tyre. /Zoom.al