Aplikacion
Jean-Arnault Dérens zbulon metodën Rama: nuk i’a vlen të kundërshtosh urdhrat e BE; më mirë ti përmbushësh këto kërkesa, duke i kthyer ato në avantazhin tënd.
Kur ka takime me miq, Edi Rama i lë ata shpesh të presin në paradhomë. Pasi kanë hyrë në zyrë ai u thotë në fillim të takimit: “Isha në telefon me Angela Merkel” – ose me ndonjë personalitet tjetër të fuqishëm të botës – ndërsa u dhuron një skicë që ka vizatuar gjatë asaj telefonate, duke shtuar: “Kjo kushton shumë para”! Kryeministri është i bindur për vlerën e tij, qoftë në galeritë e artit apo qoftë në politikë. Ai e kultivon qëllimisht pamjen e një artisti, ashtu siç pretendon ende të jetë.
Gjatë samiteve zyrtare, ky burrë tek të gjashtëdhjetat kombinon atlete moderne me kostume italiane, ndërsa takimet me të ndjekin një ritual që shkrimtari austriak, Robert Menasse, e përshkruan me saktësi dhe humor në romanin e tij “Zgjerimi” (I porsa botuar në shqip nga Dudaj-shënim i Lapsi.al). Në libër, përshkruhet lideri i fortë i Tiranës që vesh një t-shirt të dalë boje dhe pantallona të shkurtra për të pritur, këmbëzbathur, një gazetare të televizionit francez.
Më 5 qershor 2024, Edi Rama ftoi “miken” e tij Giorgia Meloni, të vizitonte Shqipërinë për të parë përparimin e punimeve në qendrat e ardhshme të paraburgimit, ku do të strehoheshin azilkërkuesit e Italisë, “të zhvendosur” në Shqipëri përgjatë kohës së shqyrtimit të dosjeve të tyre. Sipas marrëveshjes së arritur mes Romës dhe Tiranës, në nëntor 2023, vetëm burrat e shpëtuar në det, para se ata të kenë prekur në tokën italiane, do të dërgoheshin në Shëngjin. Pas një shqyrtimi të parë në këtë port, në veri të bregdetit shqiptar, refugjatët që konsideroheshin të denjë për azil do të transferoheshin në Itali, ndërsa të tjerët do të çoheshin rreth njëzet kilometra larg, në kampin e Gjadrit, të ngritur në vendin e një baze të vjetër ajrore, ndërtuar nga Kina në vitet 1970.
Kryeministrja italiane kishte premtuar që të ardhurit e parë do të hynin në barakat e ndërtuara për ta, në prag të zgjedhjeve evropiane të 9 qershorit, por punimet u vonuan. Megjithatë, Shqipëria arriti ti ofrojë shefes së qeverisë italiane mundësinë për të treguar se mbajtja e azilkërkuesve larg territorit kombëtar ishte një gjë e arritshme.
Në fakt, ideja për të ngritur “hotspote” për “filtrimin” e migrantëve, jashtë kufijve të Bashkimit Evropian, ishte propozuar nga disa udhëheqës të kontinentit gjatë krizës së refugjatëve të vitit 2015, dhe Ursula von der Leyen, presidentja aktuale e Komisionit Evropian, e ka përshëndetur si “model”, marrëveshjen italo-shqiptare të menaxhimit të migracionit. Megjithatë, më 16 tetor, gjashtëmbëdhjetë refugjatë të shpëtuar pranë Lampedusës, u transportuan me anijen e marinës italiane, Libra, deri në Shëngjin… Por të gjithë u kthyen në Itali, pasi një gjykatëse romane hodhi poshtë procedurën. Kostot e larta të projektit – ndërtimi i qendrave të paraburgimit, mobilizimi i qindra zyrtarëve dhe transportimi me shpenzime të mëdha i emigrantëve deri në Shëngjin – duket se nuk e ndalojnë Giorgia Melonin, dhe Shqipëria po shërben në këtë rast si një fushë testimi për politikat migratore evropiane.
Çmimi për stabilitetin rajonal
Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u bë për dyzet e pesë vite një fortesë staliniste, duke ndërprerë edhe lidhjet me BRSS-në në vitin 1961 dhe më pas me Kinën post-maoiste në vitin 1978. Regjimi i saj u rrëzua vetëm në vitin 1991, pasi ndërtoi rreth 500,000 bunkerë për të mbrojtur 28,000 km² të territorit të saj nga një pushtim i huaj krejtësisht imagjinar. Pas kësaj, Shqipëria kaloi një “tranzicion” veçanërisht kaotik, duke flirtuar me një luftë civile në vitin 1997.
Që nga viti 2013, me ardhjen e kreut të Partisë Socialiste Edi Rama në postin e kryeministrit situata ka ndryshuar. “Pas rënies së komunizmit, Shqipëria përjetoi një bipartizëm të veçantë: PS-ja dhe kundërshtari i saj i djathtë, Partia Demokratike, secila kishte rrjetet e veta në rrethet ekonomike dhe kriminale,” shpjegon Fatos Lubonja, eseist, ish-i burgosur politik gjatë diktaturës dhe një nga zërat e paktë të pavarur të së majtës në Shqipëri. “Për të fituar zgjedhjet e vitit 2013, Edi Rama e përmbysi tryezën, duke u ofruar gjithçka këtyre qarqeve të biznesit, të cilët i’u bashkuan atij, duke braktisur PD-në.”
Lideri i ri diti të jetë i dobishëm për perëndimorët, të cilët janë më të interesuar për stabilitetin rajonal sesa për shtetin e së drejtës. Diplomatët janë të vetëdijshëm që sistemi monolitik i pushtetit që ai ka ngritur, ka pak lidhje me kërkesat demokratike të një vendi kandidat për integrim në BE, por mundësia e një rikthimi në pushtet të opozitës, e udhëhequr nga figura e vjetër autoritare Sali Berisha, nuk i tundon shumë.
Për më tepër, Rama di të jetë absolutisht i besueshëm në politikën ndërkombëtare, duke ndjekur me përpikëri linjën e BE-së për Ukrainën dhe atë të SHBA-së për Izraelin dhe Palestinën. Në çështjen e ndjeshme të Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, kreu i PS-së vazhdimisht ofron shërbimet e tij si ndërmjetës, duke mbajtur distancë me kryeministrin kosovar, Albin Kurti, që i irriton Perëndimorët me qëndrimet e tij të forta.
Politologu Florian Bieber ka zhvilluar konceptin e “stabilokracisë” për të përshkruar këto regjime ballkanike – në Shqipëri ashtu si në Serbi – që kombinojnë autoritarizmin, korrupsionin, klientelizmin, lidhjet me krimin e organizuar dhe një orientim pro-evropian. Faktet për praktikat e ushtrimit të pushtetit nga Edi Rama vazhdojnë shumëfishohen, por megjithëatë ai kërkon të projektojë imazhin e një modernizuesi transgresiv. Jo atë të një “padrinoje ballkanik”.
I zgjedhur si kryebashkiaku më i mirë në botë
Për një kohët të gjatë Edi Rama është konsideruar si “artist dhe vizionar”. Ky ish fëmijë i nomenklaturës, i lindur në vitin 1964, ka studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura, ndërkohë që përfitonte nga gjatësia e tij prej 2.02 metrash për të ndjekur një karrierë profesionale si basketbollist. Në vitin 1991, pas rënies së regjimit stalinist, ai u përfshi në lëvizjet demokratike të kohës dhe më pas në opozitë ndaj liderit të ri të Shqipërisë, “demokratit” Sali Berisha, i cili u zgjodh president Republike në vitin 1992.
Emigrant në Francë, Rama nisi një karrierë artistike. Ndërkohë, në Shqipëri, vitet e para të kapitalizmit të shfrenuar përfunduan në verën e vitit 1997, me kolapsin e piramidave që premtuan norma interesi prej 50 apo 100% në muaj, por që fundosën kursimet e para të emigrantëve shqiptarë. Shkatërrimi i këtyre skemave piramidale shkaktoi trazira që rrëzuan qeverinë e Sali Berishës dhe sollën rikthimin në pushtet të figurave të vjetra të Partisë së Punës, tashmë të quajtur Partia Socialiste, nën drejtimin e Fatos Nanos.
Ishte Nano që e ftoi Ramën dhe artisti i ri u emërua Ministër i Kulturës në vitin 1998. Në tetor të vitit 2000, ai u zgjodh kryebashkiak i Tiranës, duke nisur një program për rehabilitimin e ndërtesave të vjetra socialiste, të cilat i lyeu me ngjyra të gjalla. Perëndimi e zbuloi dhe e lavdëroi këtë figurë të re krijuese. Në vitin 2004, ai u nderua me titullin “Kryebashkiaku më i mirë në botë” nga City Mayors Foundation në Londër. Megjithatë, pikërisht gjatë mandatit të tij të parë filloi të formësohej “sistemi Rama”.
Heqja e kioskave
Me marrjen e postit të kryebashkiakut, ish-basketbollisti, ndërmori një veprim spektakolar që tërhoqi vëmendjen e mediave botërore. Ai vendosi të shkulë kioskat që kishin mbuluar trotuaret dhe parqet e Tiranës, të përdorura si kafene, restorante apo pika shitjeje të ndryshme. Qëllimi zyrtar i operacionit ishte t’u rikthente banorëve të Tiranës “krenarinë për qytetin e tyre” duke pastruar rrugët.
Për të larguar rrobaqepësit, berberët dhe shitësit ambulantë, mjaftoi përdorimi i forcës. Por disa pronarë kioskash, tashmë të pasur dhe të fuqishëm, nuk u treguan aq të gatshëm për t’u larguar. “Për t’i dëmshpërblyer, Edi Rama u ofroi atyre toka publike. Kështu lindën ndërtesat e para moderne, sigurisht pa ndonjë planifikim urbanistik. Dhe kryebashkiaku filloi të merrte komisionin e tij nga këto projekte,” shpjegon gazetarja Katerina Sula.
Një nga ish kioskat e vjetra ka mbijetuar: lokali gjigant Taivan, i ndërtuar në një park në qendër të qytetit. Pronari i tij, Besnik Sulaj, i njohur si “Beso i Taivanit”, që atëherë ka ndërtuar një perandori ekonomike me degëzime të shumta, përfshirë blerjen e rafinerive të naftës në Ballsh. Ky personazh shpesh shihet krah kryeministrit dhe figurave të larta të Partisë Socialiste.
Kanabis në mbarë territorin
Edi Rama ishte në pushtet vetëm prej një viti kur policia shqiptare ndërmori në qershor të 2014-ës një operacion mbresëlënës kundër Lazaratit, një fshat i njohur si bastion i prodhimit dhe trafikut të kanabisit. Fshati, i pozicionuar afër kufirit grek, për dy ditë iu rezistoi sulmeve me helikopterë dhe automjete të blinduara të policisë. Ngjarje të ngjashme u përsëritën edhe vitin pasues, duke dëshmuar se Lazarati, një fshat tradicionalisht i djathtë, në një zonë kryesisht socialiste, kishte një lidhje të ngushtë me trafikun e drogës, nga i cili përfitonte Partia Demokratike.
Pas këtyre operacioneve, Rama shpalli me krenari suksesin e luftës së tij kundër drogës. Megjithatë, në pranverën e vitit 2016, Guardia di Finanza raportoi se kultivimi i kanabisit nuk ishte zhdukur, por përkundrazi, ishte përhapur në të gjithë Shqipërinë, duke zëvendësuar kulturat tradicionale bujqësore.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, nisi një kundërofensivë mediatike, duke pozuar përpara stoqeve të kanabisit të djegur. Por në tetor të vitit 2017, policia italiane zbuloi një nga klanet më të mëdha të trafikut, të drejtuar nga Moisi Habilaj, i cili doli të ishte kushëri i ministrit Tahiri. Ky skandal detyroi ministrin të dorëhiqej, dhe në vitin 2022 ai u dënua me vetëm tre vite e katër muaj burg për “shpërdorim të detyrës në një çështje të lidhur me trafikun e drogës”.
Më pas, prodhuesit e kanabisit u detyruan të vepronin më fshehurazi, por luksi i papritur i disa banorëve të zonave rurale, i reflektuar në automjetet luksoze që lëvizin ende në fshatra të thella, tregon për përfitimet e mëdha që kanë arritur disa.
Pritshmëri të mëdha nga Europa
Zgjedhja e Edi Ramës krijoi fillimisht shpresa të mëdha në Europë. Në tetor të vitit 2013, disa muaj pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare, Komisioni Europian rekomandoi dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, një vendim që u miratua një vit më vonë.
Në këtë kontekst, Bashkimi Europian kërkoi reformimin e sistemit të drejtësisë, dhe qeveria Rama nisi që nga viti 2017 një proces të gjerë “vetting”-u, ku gjyqtarët dhe prokurorët që nuk mund të justifikonin pasurinë e tyre u larguan nga detyra. Komisioni Europian e përshëndeti këtë reformë si një sukses, por gazetari shqiptar Andi Bushati thekson se kjo reformë mbrojti përgjithësisht gjyqtarët e lidhur me Partinë Socialiste.
Metoda Rama u pa qartas: nuk i’a vlen të kundërshtohen kërkesat e Brukselit, Parisit, Romës apo Berlinit; më mirë ti përmbushësh këto kërkesa, duke i shfrytëzuar ato në avantazhin tënd. Paralelisht, regjimi u bë gjithnjë e më i varur nga investitorët që e mbështesin dhe ishte i gatshëm të bëjë gjithçka për t’i kënaqur ata, qoftë edhe duke shitur apo shkatërruar trashëgiminë kombëtare.
Investitorë të veçantë
Më 17 maj 2020, në mes të pandemisë së Covid-19, buldozerët shembën Teatrin Kombëtar në Tiranë, një ndërtesë historike e ndërtuar në vitin 1939. Megjithëse ishte përfshirë në listën e trashëgimisë në rrezik të organizatës Europa Nostra, teatri u shkatërrua për t’i lënë vend një projekti të ri që përfshinte një qendër tregtare. Ndërtimi iu besua Shkëlqim Fushës, një oligark i afërt me Partinë Socialiste, kushëriri i të cilit, Sulejman Fusha, ishte dënuar për trafik ndërkombëtar droge, duke përfshirë Evropën dhe Amerikën Latine.
Gjatë pandemisë, klanet shqiptare të drogës forcuan praninë e tyre në Ekuador, duke dominuar përballë karteleve meksikane. Këto lidhje ndërkombëtare u pasqyruan në procesin gjyqësor ndaj Black Eagle, që nisi në Bruksel në prill 2024. Sipas hetimeve, zyrtarë shqiptarë dyshohet se kanë negociuar në Aruba të Karaibeve, investime për një kullë, duke premtuar edhe lejen e saj të ndërtimit. Këta investitorë mbajnë gjallë ethet e ndërtimit në Tiranë, një qytet ku spekulimet me pronat e patundshme kanë rritur çmimet deri në 6 000 euro për metër katror.
Takime me krerët e mafies
Në qershor 2024, televizioni italian Rai3 transmetoi një investigim ku Arben Ahmetaj, ish-zëvendëskryeministër, dëshmon për takime midis Edi Ramës dhe krerëve të mafies, të zhvilluara në zyrën e Kryeministrit. Sipas Ahmetajt, Rama kishte vetëm një kërkesë: që grupet kriminale të respektonin një pakt mos-agresioni brenda territorit shqiptar.
Një shembull i këtyre lidhjeve është Luftar Hysa, ish-pronar i kazinove në Kanada, i përfolur për marëdhënie me kartelin Sinaloa. Hysa dyshohet se ka transferuar 18 milionë euro në Shqipëri dhe në vitin 2022 mori një licencë për të hapur një kazino në Vlorë, disa muaj pas një takimi të supozuar me zyrtarë shqiptarë. Përballë këtyre akuzave, Edi Rama i mohoi ato, duke deklaruar se nuk e njihte Hysën dhe duke kujtuar përfshirjen e Ahmetajt në çështje korrupsioni.
Një marrëdhënie komplekse me Italinë
Italia, fqinja më e afërt e Shqipërisë, është thelbësore në zbulimet për lidhjet e dyshimta të regjimit shqiptar. Përgjimet telefonike të kryera në kuadër të hetimeve kundër mafies kalabreze Ndrangheta përshkruajnë Shqipërinë si një tokë të re mundësish mafioze, të krahasueshme me Kalabrinë e viteve 1960.
Megjithatë, Edi Rama mban një marrëdhënie të afërt me Romën, duke vënë në skenë bashkëpunimin e tij me liderët e ndryshëm italianë. Në justifikim të një marrëveshjeje për azilkërkuesit, Rama deklaroi se Shqipëria kishte një “borxh” ndaj Italisë, pa specifikuar se për çfarë borxhi bëhej fjalë. Një deklaratë e diskutueshme, në një vend të pushtuar nga fashistët italianë në vitin 1939 dhe të shënuar nga tragjeditë e viteve 1990, kur qindra shqiptarë humbën jetën duke u përpjekur të kalonin Adriatikun për të arritur në brigjet italiane.
Interesa që mbizotërojnë mbi parimet
Edhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian tregohen tepër miqësore ndaj Shqipërisë, pavarësisht skandaleve që vazhdojnë të dalin në dritë. Pamja dhe stili “transgresiv” i Edi Ramës duket se ka tërhequr edhe Emmanuel Macron, i cili në tetor 2023 u prit me madhështi në Tiranë, gjatë vizitës së parë shtetërore të një presidenti francez në Shqipëri që nga viti 1912.
Vizita u shfrytëzua për të nënshkruar disa marrëveshje, përfshirë atë me kompaninë Voltalia, pronë e familjes Mulliez, që është investitori kryesor i parkut të energjisë diellore në Karavasta, më i madhi në vend. Ky park pritet të prodhojë 140 Gëh energji elektrike në vit, i mbështetur nga Banka Evropiane për Zhvillim. Megjithatë, projekti ka ngritur shqetësime mjedisore pasi fusha e paneleve diellore ndodhet pranë lagunës së Karavastasë, një zonë natyrore e ndjeshme dhe e mbrojtur.
Mbështetja e Shteteve të Bashkuara
Shqipëria ka gjithashtu mbështetjen e fuqishme të SHBA-së, që i është rikthyer interesit ndaj Ballkanit vitet e fundit. Në 2019, Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç pozuan bashkë të buzëqeshur për të promovuar iniciativën Open Balkans, një hapësirë tregtie e lirë e mbështetur nga Uashingtoni. Kjo nismë, një alternatibë e pjesshme ndaj anëtarësimit të vonuar në BE, u mbështet nga Richard Grenell, ish-i dërguar i posaçëm amerikan i Trumpit në Ballkan. Ai mendohet se ka luajtur një rol kyç në afrim mes Ramës dhe Vuçiçit duke iu zbuluar atyre një preferencë të përbashkët për montazhet politiko financiare dhe diplomacionë transaksionale, ku interesat vlejnë më tepër se parimet.
Richard Grenell ishte gjithashtu pjesë e një projekti të debatueshëm për “rishikimin” e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, plani dështoi, pas arrestimit të Hashim Thaçit në vitin 2020, që tani përballet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Hagë. Pasardhësi i tij, Albin Kurti, e refuzoi kategorikisht këtë marrëveshje, duke kundërshtuar çdo “pazar etnik” të negociuar nga dy burrat e forë me mbështetje amerikane, Rama dhe Vuçiçi.
Shkëmbimi i favoreve mes Ramës dhe Vuçiçit përfshin gjithashtu projekte ndërtimi madhore. Marina e ardhshme e Durrësit i është dhënë me koncesion kompanisë Eagle Hills nga Abu Dhabi, e cila ndërtoi kompleksin gjigant Belgrade Waterfront në Serbi. Ndërkohë, Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, njoftoi në 15 mars 2024 dy projekte të reja investimi në Shqipëri dhe Serbi.
Në Shqipëri, projekti përfshin ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit, një zonë e mbrojtur dhe ish-pronë ushtarake, e paprekur deri më tani. Kjo ndërmarrje do të menaxhohet nga grupi Aman, me bazë në Zvicër, pronë e oligarkut rus Vladislav Doronin.
Lidhjet e errëta të këtij projekti janë bërë të njohura për shkak të Charles McGonigal, ish-agjent i FBI-së dhe shefi i sigurisë i Aman, i cili u dënua në dhjetor 2023 me 50 muaj burg për bashkëpunim me oligarkun rus Oleg Deripaska. McGonigal gjithashtu pranoi se kishte marrë 225,000 dollarë nga Agron Nezaj, ish-oficer i shërbimit sekret shqiptar, për të lobuar në SHBA në favor të Edi Ramës.
Marre nga revue 21