Aplikacion
Berisha tha se materiali audio është i falsifikuar dhe se aty nuk ka asgjë të vërtetë.
Ai akuzoi Edi Ramën për puç shteti. “Natyrisht ngjarja është tragjike, unë u kam shprehur atëherë dhe tani ngushëllimet familjarëve. Por manipulimi që bën Edi Rama për njerëzit që përdori si mish për top, se donte të vinte në pushtet, është makabritet”.
Berisha e sfidoi Ramën të heqë dorë nga imuniteti dhe të përballet me ligjin për organizimin e protestës së dhunshme dhe sulmin ndaj institucioneve.
Materiali, sipas gazetarit Hoxha, është regjistruar nga një shërbim i huaj. Sipas tij, në komunikimet mes kreut të Gardës, Ndrea Prendi dhe dy vartësve të tij, Prendi u jep urdhër të qëllojnë nëse protestuesit hyjnë brenda perimetrit të kryeministrisë, ashtu siç e parashikon ligji dhe rregullorja e Gardës.
Materiali i publikuar nga Hoxha ka shkaktuar reagime nga qeveria. Kryeministri Rama e quajti menjëherë provë, ndonëse nuk është provuar autenticiteti i tij. Po kështu, ministri i tij i Drejtësisë, Ulsi Manja, i kërkoi drejtësisë ta hetojë.
Në një rast të mëparshëm për një përgjim audio, të regjistruar nga një gazetar, ku flitej për implikimin e vëllait të ministrit të Brendshëm në atë kohë, Fatmir Xhafaj, kryeministri tha se e çoi vetë materialin në një laborator “ndër më të mirët në botë”, për të provuar nëse zëri ishte i Agron Xhafajt apo i dikujt tjetër.
Për materialin audio të 21 Janarit nuk dihet nëse kryeministri ka vepruar po njësoj, ndonëse bëhet fjalë për një çështje shumë më të rëndë se trafiqet e drogës së vëllait të ministrit. /Zoom.al
DEKLARATA E PLOTË E BERISHËS
Që unë të komentoj manipulimet e Ardi Veliut, harroje.
I takon medias të thonë të vërtetën e atij manipulimi. Nuk mund të komentoj unë, disa tabela shkrimi që paraqiten si audiopërgjim dhe nuk ekzistojnë. Nuk u paraqit audio, por dëshmoi qartësisht se ishte një manipulim dhe falsifikim.
Njëlloj si shiriti i 21 janarit, ku u tha se Sali Berisha ishte i implikuar në problemin e hidrocentralit.
Pra, është gjithçka krijesë e Ardi Veliut.
Duke thënë këtë, theksoj edhe njëherë se 21 janari përbën një nga ngjarjet më tragjike, përpjekje për grusht shteti, marrje pushteti me dhunë nga ata që i kam denoncuar me kohë.
Komuniteti ndërkombëtar dhe në veçanti SHBA, ka hetuar me të madhe që të hetohen organizatorët dhe autorët e dhunës.
Edi Rama është personi kryesor, organizator i dhunës. Edi Rama nuk gjeti kurrë kurajo të paraqitej në prokurori, ndonëse u thirr për të dëshmuar.
Edi Ramën do e ndjekë gjithë jetën përgjegjësia penale për organizimin e asaj dhune.
Ai është faktuar si organizator në mënyrën më të pakundërshtueshme. Pjesa e gardistëve është hetuar nga një kundërshtare e egër e Sali Berishës. Është hetuar me një prani të rëndësishme ndërkombëtare. Dhe janë dhënë dënimet e njohura deri më tani.
Por, meqenëse shërbehet me krijime të Ardi Veliut, i them lëri ato, hajde, hiq imunitetin se unë nuk kam imunitet për asgjë, dhe shko dëshmo për organizimin e puçit.
I solli si mish për top. Natyrisht, ngjarja është tragjike. Atëherë dhe sot, familjarët kanë ngushëllimet e mia.
Por manipulimi që bën Edi Rama për njerëzit që përdori si mish për top se donte të vinte në pushtet, është makabritet.