Aplikacion
Në një komunikatë të shtunën, policia tha se pjesëtarët amerikanë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kishin hasur në mjete të dyshimta në një mulli të vjetër dhe braktisur në Banjskë – fshatin ku më 2023 kishte ndodhur një sulm vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës.
“Njësitë policore menjëherë kane reaguar në lidhje me këtë rast, ku më pas kanë konfiskuar mjetet e dyshimta”, tha policia.
Policia tha se ka konfiskuar uniforma ushtarake, tre gjoksore për mbajtje te armatimit, tre granata dore, tre karikatorë të zbrazët të armës së gjatë, dy shokë bomba, një bombë ndriçuese dhe 28 fishekë të armës së gjatë.
Kjo është hera e dytë brenda rreth një jave që autoritetet kosovare konfiskojnë pajisje ushtarake në veri të vendit. Më 28 shkurt, Policia e Kosovës e kreu një aksion në fshatin Rodel të Leposaviqit, ku konfiskoi uniforma ushtarake, armë dhe municion.
Sipas autoriteteve, armët dhe municioni i gjetur në Leposaviq i takonin pjesëtarëve të organizatës Mbrojtja Civile – e shpallur terroriste në Kosovë.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, thanë më 28 shkurt se konfiskimet në Leposaviq dëshmonin se pjesëtarë të organizatës Mbrojtja Civile vazhdojnë të jenë aktivë në territorin e Kosovës.
Veriu i Kosovës vazhdon të jetë i tensionuar posaçërisht nga 24 shtatori i vitit 2023, kur një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë, duke e vrarë një rreshter.
Në luftimet që pasuan u vranë tre pjesëtarë të grupit sulmues.