zoom

Kosova

Kosova shënon sot 17-vjetorin e pavarësisë së saj, kujtohet sakrifica e popullit për liri

Kosova shënon sot 17-vjetorin e pavarësisë së saj, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008. Një sërë organizimesh – nga mbledhja festive e Qeverisë së vendit deri te parakalimi i trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës – priten gjatë ditës, për nder të këtij përvjetori.

Kosova është e sapodalë nga një proces zgjedhor dhe është në pritje të formimit të institucioneve të reja.

Fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit doli Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit aktual, Albin Kurti, por pa siguruar shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh për ta formuar qeverinë e vetme.

Një ditë më herët, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka pranuar një mesazh urimi për përvjetorin e pavarësisë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Aty thuhet se Trump e “përgëzon popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë” dhe vë në pah “qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces”.

“Lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe me padurim presim që t’i zgjerojmë ato – veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime – me qëllim që të sjellim më shumë prosperitet për të dyja vendet tona”, thuhet mes tjerash në letër.

Qeveria e Kurtit, viteve të fundit, është kritikuar nga zyrtarët amerikanë, për shkak të disa hapave të cilësuar si të pakoordinuar kundrejt komunitetit serb.

Autoritetet e Kosovës, përveç tjerash, kanë hequr nga përdorimi dinarin serb dhe kanë mbyllur shumicën e institucioneve të Serbisë, prej të cilave serbët kanë marrë shërbime të ndryshme.

Qeveria i ka justifikuar këto veprime si shtrirje të autoritetit të saj dhe në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit.

Por, për shkak të tyre, edhe Bashkimi Evropian ka ndërmarrë disa masa ndëshkuese kundër Kosovës, duke i pezulluar disa fonde dhe takime të nivelit të lartë.

Shtatëmbëdhjetëvjetori i pavarësisë e gjen Kosovën si shtet të njohur nga rreth 117 vende të botës.

Vendi është pjesë e disa organizatave ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

Por, nuk është ende në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës etj./REL