Aplikacion
“Ne do të kërkojmë nga Serbia – patjetër përmes partnerëve tanë – që të gjithë të plagosurit që kanë arritur të ikin nga Kosova, si dhe ata që kanë ikur pa dëmtime, t’i dorëzohen drejtësisë së Kosovës, duke qenë se vetëm kështu, realisht, mund të sjellim një normalizim të situatës në Kosovë. Të Radoiçiç-it dhe jo vetëm, të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e këtij aksioni terrorist”, tha Xhelal Sveçla.
Sveçla theksoi se hetimet e deritanishme kanë treguar se më shumë se 80 terroristë ishin të përfshirë në këtë sulm.
“Në fillim është menduar se janë diku mes 30 dhe 40 terroristë. Tashmë mund të themi se numri është më i madh, gjë që dëshmon suksesin edhe më të madh të policisë së Kosovës. Policia e Kosovës ka qenë edhe në numër më të vogël, edhe me armatim më të dobët sesa ky grup terrorist, por ia ka dalë që pas humbjes së jetës së rreshterit Afrim Bunjaku, pas përfundimit të kësaj prite, të realizojë gjatë gjithë ditës një betejë të suksesshme – për të cilën po marrim përgëzime nga të gjithë aleatët tanë – dhe ta mundë këtë grup terrorist. Por, numri është i madh. Tash mund të themi se është mbi 80”, shtoi ai.
Po ashtu ministri i Brendshëm i Kosovës nënvizoi se përveç Serbisë, në këtë ngjarje është përfshirë dhe Rusia.
“Po, ne në një nga veturat… janë 24 vetura të terrenit, të cilat janë zënë në këtë fshat të mbushura me municione dhe materiale. Në njërën nga këto vetura kemi gjetur materiale ruse, po ashtu janë dy motorë katër-rrotësh për terrene të vështira, prodhim i Rusisë, që i janë dhënë donacion ushtrisë së Serbisë. Ka edhe informata të inteligjencës për përfshirjen e elementeve që janë drejtpërdrejt të lidhura me Rusinë”, deklaroi Sveçla.
Grupi terrorist sulmoi Policinë e Kosovës më 24 shtator ku mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku. Pak orë më vonë gjatë rrethimit të grupit të armatosur në manastirin e Banjskës u ekzekutuan edhe katër nga agresorët, ndërsa disa të tjerë u arrestuan.