zoom

Aktualitet

Korrupsioni në arsim/ 74% e të rinjve: Notat e provimet blihen

Prej kohësh në vend debatohet për arsimin cilësor. Ministria e Arsimit i është përgjigjur kritikëve se ka plane masash që sjellin cilësinë në arsim. Por të rinjtë në Shqipëri nuk mendojnë kështu. Për ta nuk ka arsim cilësor, ndërsa theksin e vendosin tek korrupsioni.

Instituti Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) në Vjenë ka nxjerrë një Studim për Rininë për 12 shtete, përfshirë dhe Shqipërinë, ku një temat që trajtohet është edhe arsimi.

Fokusi është nëse të rinjtë besojnë se notat dhe provimet po blihen në institucionet e tyre arsimore dhe rreth 74 për qind e të rinjve të anketuar besojnë se notat në institute/ universitete blihen.

Në krahasim me të njëjtin studim në 2018, ka një rënie të papërfillshme të perceptimit të të rinjve.

“Rënia nga 74.9% në 73.9% ende reflekton nivele të vazhdueshme të larta të perceptimit të korrupsionit nga të rinjtë”, shkruhet në studim.

Në vitin 2024, 62.9% e të anketuarve në të gjithë vendet besojnë se korrupsioni ekziston në arsim, krahasuar me një mesatare prej 65.4% në vitin 2018.

Në Serbi, megjithëse perceprimi mbetet i lartë, ra nga 80% në 2018 në 71.4% në 2024.

Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi tregojnë ulje të korrupsionit të perceptuar. Rënia e Maqedonisë prej 3,8 %, së bashku me rënien e Malit të Zi prej 13.4% gjatë të njëjtën periudhë, reflektojnë zbatimin gradual të ligjeve më të rrepta kundër korrupsionit dhe përmirësimin e transparencës institucionale, thuhet në njoftim.

Kosova spikat me reduktim nga 59.5% në 2018 në 42.8% në 2024.

Ndërsa Turqia dhe Greqia paraqesin nivele të moderuara të shqetësimit në vitin 2024, me përkatësisht 47,6 % dhe 53,5 % të të anketuarve që mendojnë se ka korrupsion në universitete.

Në arsimin e lartë, thuhet në studim, ndërhyrjet nga qeveria dhe sektori privat ‘gërryejnë’ lirinë akademike, shtrembërojnë prioritetet dhe minojnë besueshmërinë.

“Për më tepër, korrupsioni në arsim në rajon shpesh çon në një ikje të trurit, pasi profesionistët e arsimit dhe nxënësit janë të detyruar të largohen nga institucionet, rajonet apo edhe vendet e tyre në kërkim të pagave më të mira, kushteve të përmirësuara të punës ose rritjes së mundësive të zhvillimit profesional dhe studentor. Të rinjtë në këto rajone janë të vetëdijshëm për këto çështje dhe perceptimet e tyre ofrojnë njohuri për sfidat e vazhdueshme dhe fushat që kanë nevojë për reforma”, arin në përfundim studimi.