Aplikacion
Konfindustria raporton se kontrabanda e naftës është masive dhe se humbjet e shtetit janë alarmante.
“Krahasimi i konsumit të karburanteve ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut tregon, se sasia e kontrabandës në një vit shkon në 250 mijë tonë duke kapur vlerën e mbi 300 milion euro/vit”, -deklaron Konfindustria.
Autoritetet kanë kapur disa anije me naftë kontrabandë, por Konfindustria thotë se edhe këto sekuestrime kanë ardhur si pasojë e agjencive ndërkombëtare, duke shtuar dyshimet e bashkëpunimit të strukturave shtetërore me kompanitë e naftës që përfitojnë nga kontrabanda.
“Vlerësohet, se sasitë e karburanteve të kapura në përgjithësi vijnë si pasojë e sinjalizimeve të agjencive të specializuara ndërkombëtare për shkak të shkeljes së embargos nga vende si Libia, Rusia, Irani, etj. Fitimi real në këto raste për kompanitë është shumë i lartë për shkak, se çmimi i blerjes është pothuaj 1/3 e çmimit të bursës ndërkombëtare, ndërkohë që çmimet e krahasimore të shitjes në tregun e Shqipërisë janë nga më të lartat në nivel kontinenti.
Sasitë e mësipërme janë vetëm pjesa e kontrabandës së karburanteve të kapur në anije transportuese. Këtu nuk përfshihet kontrabanda e anijeve transportuese, që nuk janë kapur. Gjithashtu, nuk përfshihen sasitë e karburanteve të kontrabanduara me anije peshkimi, nga rafineritë e vendit, lëvizjet ndërkufitare, etj”, -deklaroi Gjergj Buxhuku, kreu i Konfindustria.
Sipas Konfindustria, shkalla e lartë e “fshehjes fiskale” si pasojë e kontrabandës masive të karburanteve, përveç dëmtimit të rëndë të buxhetit të shtetit, shkakton edhe prishje dhe çrregullime të rënda të konkurrencës ndërmjet bizneseve në gjithë sektorët e ekonomisë shqiptare me pasoja shkatërrimtare në afatgjatë.
Disa javë më parë një anije me mbi 22 mijë tonë naftë kontrabandë u kap në Porto Romano, e porositur nga importuesi i naftës Piro Bare.
Në shtator të vitit 2022 një tjetër sasi e konsiderueshme nafte kontrabandë me vlerë 2.2 milionë euro, e ardhur nga Libia, një vend nën embargo, rezultoi e porositur nga shoqëria “Kastrati Group”.
Opozita e ka akuzuar qeverinë se ka lejuar klientët e saj që të fusin kontrabandë 30 % të totalit të naftës që konsumohet në Shqipëri.
Grosistët kryesorë të naftës në vend janë Kastrati, Eida, Gega Oil, Bolv Oil dhe Alpet, të cilët kanë edhe përfaqësuesit e tyre në bordin që vendos çmimet e naftës.
Ndërsa Kastrati dhe Eida kanë tashmë edhe një port privat në Porto Romano, ku shkarkohet nafta dhe mallrat ë tjera. /Zoom.al