zoom

Bota

Konfirmohen dy vdekjet e para në botë nga një infeksion viral tropikal

Në Brazil, Ministria e Shëndetësisë, konfirmoi vdekjen e dy personave për shkak të etheve Oropouche. Këto janë dy rastet e para të vdekjeve nga kjo sëmundje në botë. Oropouche është një infeksion viral tropikal i transmetuar nga mushkonjat dhe është emëruar sipas rajonit ku u zbulua dhe u izolua për herë të parë në 1955 në Laboratorin Rajonal të Trinidadit.

Vdekja e parë u regjistrua më 17 qershor, pacienti ishte 24 vjeç dhe banonte në Valença, ndërsa vdekja e dytë u regjistrua të hënën e kaluar. Ministria e Shëndetësisë po heton gjithashtu një tjetër vdekje të dyshimtë nga ethet Oropouche në Santa Catarina. Pacientët që vdiqën për shkak të etheve Oropuche kishin simptoma të tilla si ethe, dhimbje koke, dhimbje sysh, dhimbje muskulore, të vjella, diarre dhe dobësi. Në të dyja rastet, simptomat më pas evoluan me shenja më serioze si njolla të kuqe dhe vjollcë në trup, gjakderdhje, përgjumje, hipotension dhe një rënie të madhe të hemoglobinës dhe trombociteve në gjak.

Të premten e kaluar, autoritetet braziliane lëshuan ​​​​një alarm epidemiologjik për të informuar rastet e transmetimit të virusit nga nëna te fëmija gjatë shtatzënisë. Në një deklaratë alarmuese, autoritetet njoftuan se një grua shtatzënë që jetonte në Pernambuco shfaqi simptoma të Oropouche në javën e 30-të të shtatzënisë dhe pas konfirmimit laboratorik të infeksionit, fetusi vdiq.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se përgjatë këtij viti janë regjistruar 7236 raste të etheve Oropouche dhe deri më sot literatura shkencore botërore nuk kishte raportuar asnjë rast të vdekjeve nga kjo sëmundje.

Oropouche u izolua për herë të parë në Brazil në vitin 1960, sipas ministrisë së shëndetësisë.

Shumica e rasteve janë raportuar në rajonin e Amazonës në Brazil, por shpërthime dhe raste të izoluara janë raportuar dhe në zona të tjera në Amerikën Latine.

Sipas CDC, simptomat e infeksionit viral Oropouche zakonisht fillojnë katër deri në tetë ditë pas pickimit.

Simptomat zakonisht zgjasin nga tre deri në gjashtë ditë, me simptoma të ngjashme me dengën, të tilla si ethe, dhimbje muskujsh, dhimbje koke, të vjella, të përziera, të dridhura ose ndjeshmëri ndaj dritës.