zoom

Lajme

Debate te Komisioni i TIMS, dëshmon kreu i SHISH. Hyseni: Ka sekrete, mbledhja me dyer të mbyllura!

Ka nisur me një minutë heshtje për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare, mbledhja e Komisionit Hetimor për të dhënat e TIMS.

Sot po dëshmon kryetarja e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, e cila nuk ishte prezente javën e kaluar, duke u bërë shkak për debate mes kampeve politike. Madje kryetari Ervin Salianji kërkoi thirrjen e saj me Polici.

Hyseni dha sqarim teksa nisi mbledhja, duke kërkuar që për shkak të informacioneve të ndjeshme apo sekrete hetimore, mbledhja të mbahej me dyer të mbyllura.

“Nuk i jam shmangur dëshmisë. Nuk mora pjesë për shkak të angazhimeve të paracaktuara. Kërkoj që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura, duke pasur parasysh se flitet për problematika që lidhen me sigurinë kombëtare. Të mbrohen të dhënat e klasifikuara”, u shpreh ajo.

Por Salianji u përgjigj:

“Nuk shoh asnjë element që përbën sekret shtetëror. Duke pasur parasysh që kemi të bëjmë me aspekte procedurale dhe aspekte të zbuluara në publik, propozoj që mbledhja të zhvillohet me dyer të hapura”.

Kurse anëtarët e mazhorancës pretenduan gjithashtu që mbledhja të ishte me dyer të mbyllura, duke qenë se kanë edhe shumicën në votim.

teksa nuk munguan edhe debatet. Deputeti i PS Xhemal Qefalia i ka kërkuar kryetarit të Komisionit Ervin Salianji që të kërkojë ndjesë për faktin që në mbledhjen e kaluar deklaroi se drejtoresha e SHISH Vlora Hyseni nuk ishte e pranishme për të dëshmuar, për shkak se ndodhej në Beograd.

Pjesë nga diskutimi:

Qefalia: E kërkoj për procedurë

Salianji: Këtu për procedurë kërkohet

Qefalia: Duhet të dëgjosh kur flas unë. Si kryetar komisioni.

Qefalia: Nise mbledhjen me një ndjesë publike për veprimin që bëre në mbledhjen mëparshme duke ngatërruar vendin e takimit të drejtoreshës së SHISH nga Brukseli në Beograd

Salianji: Kam pasur një shkresë nga SHISH. Gabon politikisht kur përmend Beogradin. E kemi si pyetje, sepse i intereson edhe drejtoreshës që të sqarojë çdo dyshim besoj. /ZOOM.AL/