zoom

Lajme

Kombëtarja mbyll stërvitjet në Shqipëri, sot drejt Austrisë për miqësoret dhe Evropianin

Kombëtarja shqiptare ka kryer dje pasdite stërvitjen e fundit në vend, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, teksa sot niset drejt Austrisë, në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Europian “Gjermani 2024” dhe miqësoreve paraprake të javës që vjen.

Kuqezinjtë fillimisht punuan në palestër, ndërsa më pas dolën në fushën e lojës, aty ku zhvilluan seancën stërvitore nën urdhrat e trajnerit Silvinjo dhe stafit teknik. Departementi i Komunikimit në FSHF bën me dije se në këtë seancë janë stërvitur 25 lojtarë, të cilët morën ngarkesë të plotë fizike. Portieri Elhan Kastrati nuk është stërvitur me grupin për shkak të një gjendje gripale.

Në seancë me ekipin A u bashkuan edhe dy lojtarë nga Kombëtarja U-21, Rejan Alivoda dhe Erald Maksuti. Ndërsa Berat Gjimshiti, Amir Abrashi dhe Taulant Seferi do të bashkohen me grupin në Austri. Kombëtarja do të qëndrojë në Tiranë derisa më pas ekipi të niset sot drejt Austrisë, ku do të përgatitet dhe do të zhvillojë edhe dy ndeshje miqësore ndaj Lihtenshtejnit (3 qershor në orën 20:00) dhe Azerbajxhanit (7 qershor në orën 19:00), në “Haladás Sportkomplexum”, Hungari. /ZOOM.AL/