Aplikacion
Nëse nuk do të ekzistonin gafat e ministres Bora Muzhaqi, opinioni publik nuk do të dinte se në Shqipëri ekziston një Ministri për Fëmijët. Kryeministri Edi Rama krijoi këtë ministri pa portofol në shtator të vitit 2021, duke deklaruar se dëshiron që të krijohet një treg dhe punë e mirëpaguar për të rinjtë dhe një fuqi të re në funksion të zhvillimit ekonomik.
Kontrolli i Lartë i Shtetit sapo ka përfunduar një audit tematik pranë Ministrisë për Fëmijët e Rininë dhe strukturat në varësi të saj.
Nga auditimi u konstatua se nga Ministria nuk janë ndërmarrë hapa për zhvillimin e kompetencave të rëndësishme për hartimin dhe publikimin e raporteve të vlerësimit mbi situatën e të rinjve; zbatimin e politikave, si dhe të veprimtarive rinore; nuk janë monitoruar standardet për ndërtimin e hapësirave rinore të sigurta dhe të aksesueshme për të rinjtë.
Gjithashtu nga Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët nuk janë hartuar, zhvilluar dhe monitoruar politikat për mbrojtjen e të drejtave të të rinjve në mënyrë gjithëpërfshirëse; programet e shkëmbimit rinor ndërkombëtar.
Kontrollorët shtetërorë konstatojnë se Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, nuk ka hartuar, zhvilluar dhe monitoruar politikat, për marrjen e masave për të siguruar jetesën dhe zhvillimin e fëmijës; sigurimin e bashkëpunimit ndërmjet strukturave dhe autoriteteve qendrore e vendore, si dhe organizatave që mbrojnë të drejtat e fëmijës.
Pra, praktikisht, ministria e drejtuar nga Muzhaqi është një institucion inekzistent, i cili megjithatë përdor mbi 1 miliardë lekë çdo vit për paga dhe shpenzime të tjera institucionale.