Aplikacion
Dëmi i shkaktuar ka ardhur prej 5 çështjeve të gjykuara ku sipas KLSH-së për të gjitha rastet Avokatura e Shtetit nuk dispononte informacion të plotë mbi njohjen e këtyre vendimeve pranë Gjykatave të Apelit vendase, si dhe ecurisë së ekzekutimin të tyre. Kjo si rrjedhojë e mos thirrjes në gjykim nga këto gjykata apo dhe nga institucionet respektive si palë e interesuar.
Vendimet të cilat zënë peshën më të madhe financiare janë cështjet në ICSID, “Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve në Fushën e Investimeve” Hydro S.r.l të Bechetti me një vlerë prej rreth 108 milion Euro, si dhe çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit të ICC me qendër në Paris, Bankers Petroleum Albania ltd, me vlerë prej rreth 221.7 milion Euro. Në këto raste ekziston risku për kërkime për njohjen e vendimit edhe në gjykata të tjera ndërkombëtare ku Shteti Shqiptar gëzon të drejta.
KLSH rekomandoi gjithashtu që Avokatura e Shtetit për dy çështjet kryesore “Sharxhi and others v. Albania” dhe “Dhimertika dhe Nika vs. Albania“, të cilat kanë penalizuar taksapaguesit shqiptarë me një barrë mjaft të lartë financiare, të analizojë dosjet gjyqësore dhe vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe të informojë Këshillin e Ministrave për të gjitha shkeljet dhe mosveprimet e institucioneve respektive vendase, të cilat duhen adresuar, me qëllim nxjerrjen e përgjegjësive përkatëse dhe evitimin e veprimeve të padrejta dhe/ose abuzive në të ardhmen.
Problem tjetër i rëndë financiar që evidentohet në raport është se Institucioni i Avokaturës së Shtetit ka pasur dijeni për mos arkëtimin e garancisë së privatizimit, në vlerën prej 85 milionë Euro nga kompania Vetro Energy PTE Ltd” që nga viti 2012. Deri tani, ky institucion, ende nuk ka marrë asnjë veprim ligjor, në bashkëpunim me ish- METE, ish-MZHETTS, tashmë Ministria e Financave dhe Ekonomisë, për arkëtimin e kësaj vlere.
KLSH rekomandon që për mos arkëtimin e vlerës prej 85 milionë euro të njoftohet Këshilli i Ministrave, në mënyrë që Avokatura e Shtetit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave të marrin masa dhe të përshpejtojnë finalizimin e hapave dhe procedurat ligjore për të mundësuar arkëtimin e garancisë së kontratës nga “V.E.PTE” Ltd, për llogari të Buxhetit të Shtetit.
Dëmet financiare të shkaktuara nga paaftësia profesionale dhe mungesa e vullnetit për t’u kujdesur për publiken janë problemet e përsëritura nga institucionet shtetërore ku mungesa e dokumentacionit dhe transparencës është evidentuar në pothuajse çdo raport të KLSH-së si dhe është theksuar nga raporti i fundit i FMN për Shqipërinë./Armand Kullau