zoom

Aktualitet

Klodiana Lala i nxjerr gënjeshtrën Veliajt, publikon dokumentin e SPAK

Kur shkoi mëngjesin e kësaj të marte në ambientet e SPAK, kryebashkiaku Erion Veliaj “e shiti” sikur kishte shkuar me dëshirën e tij për të dhënë kontributin e tij në hetimet për inceneratorin e Tiranës.

Veliaj tha se prej kohësh kishte kërkuar takim me prokurorët e SPAK.

“Pas këtij takimi SPAK ma ka rritur bindjen se është bërë një investim për së mbari. Isha me dy kolegë hetues profesionistë. Them se e vetmja gjë që mund të bëjmë është ti forcojmë institucionet, mos ti përgojojmë mos të bëjmë rolin e tyre e prokurorë e gjyqtarë por të bashkëpunojmë.
Isha këtu si bashkëpunëtor, kisha kohë që kisha kërkuar një takim. Po diskutonim sot orën 09 me 10 se kishte dhe një seancë përpara” tha Veliaj pasi u mor për orë të tëra në pyetje nga prokurorët e SPAK.

Por në të vërtetë prezenca e sotme e Veliajt në SPAK nuk ishte ftesë për të, por urdhër i lëshuar nga prokurori Dritan Prençi që të merrej në pyetje për aferën e inceneratorëve.

Urdhrin e prokurorit e publikoi gazetarja e kronikës së zezë, Klodiana Lala në studion e “Open”.

“Unë, Dritan Prençi, me detyrë prokuror në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar në zbatim të nenit 312 të Kodit të Procedurës Penale për marrjen e të dhënave në funksion të hetimit të procedimit penal numër 255 viti 2020.

Urdhëroj: Shtetasi Erion Luan Veliaj, i ditëlindjes 17.12.1979, me detyrë kryetar i Bashkisë Tiranë, të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në datën 30 prill 2024, ditën e martë, në orën 10:00, tek hetuesi A. S., për marrjen e të dhënave për rrethana të dobishme në funksion të hetimit procedurial penal numër 255, viti 2020 (me vete të ketë dokument identifikimi).
Paraqitja e shtetasit të mësipërm kërkohet me qëllim pyetjen e tij si person që ka dijeni lidhur me rrethanat e hetimit, lidhur me hetimet paraprake procedimi penal 255, viti 2020.

Në rast mosparaqitjeje, ditën dhe orën e caktuar, pa pasur pengesa të ligjshme, paralajmërohemi se në bazë të nenit 312/2 të Kodit të Procedurës Penale, do të urdhërohet shoqërimi juaj i detyrueshëm nga Policia Gjyqësore.

Njoftimi i mësipërm të kryhet me anë të shërbimit postar në adresën e punës Bashkia Tiranë.

Prokurori i çështjes, Dritan Prençi”, thuhet në dokumentin e SPAK.