zoom

Bota

Kjo është tryeza ku do të ulen delegacionet e Rusisë dhe Ukrainës

Sot pritet që të mbahet takimi mes delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë në Bjellorusi. Edhe pse do të zhvillohet ky takim, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk pret që të sjellë një zgjidhje për vendin e tij.

Në pamje duket tryeza e përgatitur ku do të ulen për bisedime delegacionet e dy shteteve, ndërkohë që në orën e fundit është raportuar se nuk janë dëgjuar më sirenat e sulmit ajror në disa qytete të Ukrainës.

“Vendi për bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës në Bjellorusi është përgatitur, pritet të vijnë delegacionet”, shkroi Ministria e Jashtme e Bjellorusisë në rrjetet sociale, duke publikuar një foto të një tavoline të gjatë me flamuj rus dhe ukrainas.

Ditën e djeshme, përmes një njoftimi në Telegram, zyra e presidentit të Ukrainës njoftoi se të dyja palët do të takohen në një vend të paidentifikuar në kufirin bjellorus, ndërsa ora nuk është njoftuar.

Ndër të tjera, Ukraina këmbënguli që bisedimet të mos bëheshin në Bjellorusi, aty ku Rusia ka dërguar një numër të madh trupash para se të niste sulmin ndaj Ukrainës të enjten.

Zyra e presidentit Zelensky tha se presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, aleat i Putinit, ka rënë dakord që gjatë bisedimeve, mjetet e luftës të dërguara aty, nuk do të lëvizin.

Ndërkohë Putini urdhëroi sot forcat bërthamore ruse që të jenë në gatishmëri të nivelit të lartë, për shkak të “deklaratave agresive nga udhëheqësit e NATO-s dhe sanksioneve ekonomike kundër Moskës”.

Shtëpia e Bardhë reagoi duke theksuar se ky urdhër i Presidentit Putin është pjesë kërcënimeve të sajuara nga Moska për të justifikuar agresionin.

“Rusia në asnjë moment nuk ka qenë nën kërcënimin e NATO-s, Rusia nuk ka qenë nën kërcënimin e Ukrainës”, tha një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.