Aplikacion
Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë ka zhvilluar një mision faktmbledhës në vendet e Ballkanit, mes të cilave edhe Shqipëria.
Në vendin tonë, veç konstatimeve të kapjes së të gjitha pushteteve nga Edi Rama, lidhjet me krimin, korrupsionin dhe blerjen e zgjedhjeve, Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë i ka kushtuar hapësirën më të madhe të misionit, sanksionimit të Sali Berishës nga shtetet e Bashkuara e sipas raportit përfundimtar për këtë sanksionim nuk kanë gjetur asnjë provë, e madje ngenë dyshime e forta se ka qenë një veprim i pajustifikuar dhe antiligjor, për t’i dhënë mësim një fajtori aktual, për hir të luftës ndaj Korrupsionit në Shqipëri e ky nuk është shembulli që duhet të japi Amerika.
Sipas Këshillit të Ambasadorëve, ambasadorja Yuri Kim nuk ka arritur të jap asnjë shpjegim për këtë, duke vënë në dyshim edhe traditën amerikane të procesit të rregullt ligjor.
Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë thekson:
“Ambasadorja Kim dhe stafi i saj na siguruan se provat që mbështesnin përcaktimin ishin thelbësore, por komunikuan me vendosmëri se nuk mund të na jepnin asnjë prej tyre. Ata gjithashtu pranuan se procesi ishte një përcaktim tërësisht pas dyerve të mbyllura, i përjashtuar nga procesi kontradiktor dhe pa të drejtë ankimimi. Kjo është shumë e pazakontë, për të mos thënë unike, në jurisprudencën amerikane. Simpatizantët e Berishës na u ankuan se përcaktimi i tij ishte i ngjashëm me një proces të Kolegjit të Yjeve, antitezë e traditës amerikane të procesit të rregullt ligjor.
Megjithatë Ambasadorja Kim na tha privatisht se lufta kundër korrupsionit ishte e një rëndësie kaq thelbësore për politikën e SHBA-së dhe e një prioriteti kaq të lartë, saqë zyrtarët e administratës së Bidenit e konsideruan të rëndësishme që ta bënin dikë shembull– për të theksuar se askush nuk qëndron mbi ligjin ose imun kur bëhet fjalë për krimet e korrupsionit.
E kemi parasysh faktin se Berisha është 79 vjeç dhe mund të konsiderohet se po i afrohet fundit të jetës së tij politike, një figurë politike e pazëvendësueshme për disa, por nuk është mënyra amerikane e drejtësisë të verë në shënjestër dikë tjetër për t’i dhënë një mësim një fajtori aktual. Kjo do të ishte më e ngjashme me shprehjen kineze “vrit pulat për të trembur majmunët”.
Berisha ka ngritur padi në Francë kundër Sekretarit Amerikan të Shtetit dhe ai përfaqësohet pro bono nga një lobist i shquar i Uashingtonit”.
Ndërsa ngrenë pikëpyetje të forta për sanksionimin e liderit të opozitës Sali Berisha, Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë ka lëshuar kritika të forta mbi kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij. Raporti për qeverisjen nis me kritikat dhe refuzimin e Edi Ramës dhe vartësve të tij, që refuzuan bashkëpunimin në dhënien e informacioneve, Misioni ngre dyshimin se kjo është bërë për të fshehur gjendjen aktuale të vendit.
“Kryeministri Edi Rama dhe anëtarët e kabinetit të tij nuk paraqitën relacion informues. Është e vështirë të përcaktohet nëse kjo ishte prej mungesës së kohës apo për të anashkaluar dhe diskredituar ndonjë kritikë që mund të bëhej nga misioni ynë, por kryeministri Rama mbeti temë e vazhdueshme e bisedës në pothuajse të gjitha takimet tona”, thuhet po aty.
Por teksa Qeveria dhe kryeministri Edi Rama refuzuan bashkëpunimin me këtë mision, Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë sjell në vëmendje gjetjet dhe denoncimet për monopolizimin e të gjitha pushteteve nga Rama, si dhe përpjekjet e tij për të penguar opozitën në zgjedhje për rifitimin e pozitës së saj qeverisëse.
“Kryeministri Rama dhe Partia e tij Socialiste e Shqipërisë tani gëzojnë monopole virtuale të qeverisë kombëtare dhe të zyrave të zgjedhura vendore dhe rajonale. Partia Demokratike në pushtet dikur bëri një sërë llogaritjesh të gabuara dhe braktisi vendet parlamentare në favor të bashkimit me protestat e rrugës në 2017 dhe më pas bojkotoi zgjedhjet lokale të 2019-ës që pretendonte se ishin të manipuluara. Ne e vizituam pak para zgjedhjeve bashkiake mbarëkombëtare dhe Partia Demokratike po luftonte për të rifituar mandatet, por u pengua keq nga ndarjet e brendshme, nxitja dhe financimi i të cilave, sipas disave, është ndihmuar nga partia e Ramës”.
Jo vetëm kaq, sipas këtij raporti, kryeministri Edi Rama shkon deri në blerjen e kundërshtarëve, përdorimin e drejtësisë dhe lidhjet me krimin e organizuar shqiptar dhe ndërkombëtar për përfitimet e tij dhe goditjen e kundërshtarit, e kjo faktohet edhe nga bllokimi i proceseve integruese në BE.
“Partitë e ndryshme opozitare të Shqipërisë paraqitën gjatë takimeve tona një sërë ankesash kundër qeverisë së Edi Ramës.
Kundërshtarët thanë se partia e tij monopolizon pushtetin; blen kundërshtarët; përdor pushtetin qeveritar për të mbytur opozitën dhe për të ndëshkuar ekonomikisht kundërshtarët; po përdor reformën në drejtësi për të politizuar gjykatat dhe për të dëmtuar pavarësinë e gjyqësorit ; dhe ka lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe përfitime prej tij.
Opozita është punë e opozitës, kështu që pak nga këto pretendime ishin befasuese, por ato na kujtuan se si dyshimet e BE-së për qëndrueshmërinë e demokracisë së Shqipërisë dhe problemet e ndërthurura të krimit dhe korrupsionit po pengojnë përparimin drejt një prej synimeve kryesore të vendit: anëtarësimin në BE”.
Gjykata e Posaçme, prej dy muajsh ka dhënë masën shtrënguese “arrest shtëpie” për ish-kryeministrin, të cilin e akuzon për dosjen e “Kompleksit Partizani”. Berisha e ka mohuar kategorikisht bllokun e akuzave të SPAK, duke i cilësuar sulmet politike, si ndaj tij, ashtu edhe ndaj dhëndrit. Aktualisht ai nuk ushtron dot as detyrën e deputetit, pasi SPAK nuk e lejon të shkojë në Parlament. /ZOOM.AL/