zoom

Aktualitet

Kërkon lirinë, Burgjet refuzojnë të shoqërojnë Dritan Dajtin në Gjykatë: Ka rrezik për arratisje!

Në Gjykatën e Elbasanit mbahet seanca në lidhje me kërkesën e Dritan Dajtit, i cili pretendon se duhet të lirohet nga qelia, pasi e ka përfunduar dënimin e dhënë nga ish-Apeli i Krimeve të Rënda, me 25 vite izolim.

Seanca e mëparshme u shty për shkak se nuk u arrit të mundësohej lidhje online. Por mësohet se Drejtoria e Burgjeve nuk pranon të shoqërojë në gjykatë Dritan Dajtin, pasi ka dyshime të bazuar në informacione se ai mund të arratiset. Kjo, marrë shkas edhe nga precedentët e kaluar të Dajtit, arratisja e bujshme e dy dekadave më parë nga Gjykata e Tiranës.

Për këtë shkak edhe seanca e sotme do të zhvillohet me video konferencë nga ambientet e burgut të Peqinit. Ndërkohë, avokati i tij është shprehur se mos realizimi i prezencës fizike të Dajtit në seancë, është jo normale, pasi aktualisht janë 3800 policë burgjesh dhe 6 mijë policë rendi në Shqipëri, raporton “BW”.

“3800 policë burgjesh dhe 6 mijë policë rendi në Republikën e Shqipërisë, nuk shoqërojnë dot në gjykate një të dënuar. Ndërkohë që tek e njëjta gjykatë, në vitet ‘99-‘00. Janë gjykuar në praninë e tyre në salle. Bëhet fjalë për banda të viteve ‘97”, u shpreh ai.

Gjykata e Lartë nga ana tjetër i ka rrëzuar rekursin Dajtit, dukë njohur dënimin me burg përjetë dhe jo atë me 25 vite izolim. Kurse Dajti pretendon se i vlefshëm është verdikti i Apelit. /ZOOM.AL/