Aplikacion
Këlliçi u shpreh se Maloku, duke përdorur vjehrrin dhe babanë, ka përfituar 3 leje ndërtimi dhe 55 tendera për periudhën 2018-2023.
Ai thotë se vlera totale e tenderave të përfituar nga ky shtetas është 39 milionë euro, nga të cilat 34 milionë euro i ka marrë drejtpërdrejt nga Bashkia Tiranë, gjatë periudhës që ishte në detyrë si zyrtar i lartë i saj.
Deklarata e Këlliçit:
“Të nderuar qytetarë,
Foto që shihni, është tregues i qartë se skema e vjedhjes së 100% të fondeve publike është ideuar nga kreu i bandës 5D Erion Veliaj dhe është zbatuar nga të gjithë drejtorët pjesë e shtabit elektoral të Veliajt më 14 Maj 2023.
Personazhi i radhës quhet Arben Maloku. Nga viti 2015 deri më shtator të vitit 2022, me firmën e Erion Veliajt, ky individ ka mbajtur funksionin e Administratorit të Njësisë Administrative Zall Herr.
Njësoj si kolegët e tij 5D edhe Arben Maloku, duke përdorur vjehrrin dhe babain, ka përfituar 3 leje ndërtimi dhe 55 tendera për periudhën 2018-2023. Dhe më konkretisht: 36 tendera me vlerë 16 milionë euro i ka marrë nga kolegët e tij të UKT, tashmë në qeli. 11 tendera me vlerë 18 milionë euro i ka përfituar drejtpërdrejt nga kreu i bandës 5D Erion Veliaj, 5 tendera i ka përfituar nga Bashkia Kamëz, 1 tender nga Bashkia Kurbin dhe 2 tendera nga OSSHE.
Vlera totale e tenderave të përfituar nga ky shtetas është 39 milionë euro nga të cilat 34 milionë euro i ka marrë drejtpërdrejt nga Bashkia Tiranë gjatë periudhës që ishte në detyrë si zyrtar i lartë i saj. Ndërkohë ne shkurt të vitit 2021, ky individ ka përfituar leje ndërtimi me firmën e vetë Erion Veliajt, në rrugën ‘Myslym Shyri’, një ndër zonat më të lakmuara të Tiranës.
Në vitin 2022, në një shoë mediatik, Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe Drejtoresha e IKMT Dallëndyshe Bici, njoftuan sekuestrimin e pallatit të Arben Malokut, por pa e njoftuar publikun se pallati i sekuestruar ishte në pronësi të një zyrtari të lartë të Bashkisë Tiranë. Sipas dokumenteve zyrtare, bëhej fjalë për 2700 metra katrorë ndërtim pa leje, në zemër të Tiranës.
IKMT na ka njoftuar zyrtarisht se për këtë subjekt, nuk ka patur asnjë veprim nga IMT, asokohe e drejtuar nga banditi Mariglen Qato, sot edhe ky në qeli. Sigurisht Grupi i Strukturuar Kriminal 5D i Bashkisë Tiranë, kujdesej për investimet e pjesëtarëve të bandës. Në tetor të vitit 2022, KKT merr vendim që ky pallat të sekuestrohej 100%. Në këto momente, sipas përcaktimeve ligjore, kjo kompani duhet të gjobitej, duhet të paguante vlerën e ndërtuar pa leje për metër katrorë, por mbi të gjitha kësaj kompanie, supervizorëve dhe inxhinierëve duhej t’u hiqej licenca për 5 vite.
Por kjo sigurisht që nuk ndodhi. Edhe përse e njoftuar nga IKMT, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, nuk bëri revokimin e liçencës. Për pasojë, kompania ARB Trans, në tetor të vitit 2023 gostitet me një leje ndërtimi gjigande në Bulevardin e Ri të Tiranës. Por Arben Maloku nuk mund të rrinte pa u gostitur edhe me një leje tjetër ndërtimi në Bashkinë Kamës, me firmën e idhtarit të madh të reformës në drejtësi, kryebashkiakut Rakip Suli.
Të gjitha këto veprime, kanë sjellë fitime marramendëse për zyrtarin e lartë të Bashkisë Tiranë Arben Maloku, të cilat janë fshehur pas 2 emrave: Fatmir Firi i arrestuar për evazion fiskal dhe si pasojë e këtij dënimi, shtetasi Fatmir Firi i’a dhuroi aksionet e kompanisë ARB&Trans-2010 babait të Arben Malokut, shtetasit Shyqyri Maloku.
Të nderuar qytetarë,
Shtetasi Arben Maloku, me bekimin e plotë të kreut të bandës 5D Erion Veliaj, ka përfituar 39 milionë euro dhe 3 leje ndërtimi, vlera e të cilave është më e pakta 35 milionë euro, për një total mbi 70 milionë euro në vetëm 5 vite. Erion Veliaj ka deklaruar publikisht se nuk dinte asgjë për veprimtarinë e Taulant Tushës, nuk dinte asgjë për veprimtarinë e Redi Mollës, nuk dinte asgjë për veprimtarinë e Mariglen Qatos, e me siguri priteni kur të thotë që nuk di asgjë dhe për veprimtarinë e Arben Malokut, i cili si zyrtar i lartë i Bashkisë Tiranë, ka qarkulluar mbi 70 milionë euro dhe ndërkohë në zgjedhjet e 14 Majit 2023, ishte Drejtuesi Politik i Shtabit Elektoral të Veliajt për zonën e Zall Herrit, zonë në të cilën ka terrorizuar banorët dhe demokratët për të votuar Erion Veliajn.
SPAK nuk mund të thotë njëlloj si Erion Veliaj që nuk kishte informacion dhe të vazhdojë e të mos hetojë pjesën tjetër të shtabit elektoral të Erion Veliajt, duke u justifikuar me pritjen e kallëzimeve të opozitës. SPAK duhet të ngrihet në lartësinë e detyrës dhe të vërë nën sekuestro, si një skenë krimi të një korrupsioni të pa precedentë godinën e Bashkisë Tiranë dhe të arrestojë kreun e Grupit të Strukturuar Kriminal 5D Erion Veliajn, i cili çdo ditë që vijon qëndron në detyrë, ka mundësinë të prishë prova dhe të thellojë këtë veprimtari korruptive.
Ditën e nesërme do të bëjmë publike përfitimet e zyrtarit të rradhës të Bashkisë Tiranë, Administratorit të Komunës Dajt Kujtim Qefalia. Ju faleminderit”. /ZOOM.AL/