Aplikacion
Pavarësisht një denoncimi të bërë në SPAK një vit më parë, Këlliçi thekson se pronari i kësaj kompanie, ka thyer rekord botëror me ndërtimin e një pallati 7 katësh pa leje mbi kullën ‘Eyes of Tirana’ në Sheshin Skënderbej dhe jo vetëm që nuk është penalizuar për këtë shkelje, por ka përfituar leje ndërtimi.
Reagimi i plotë i Këlliçit:
“Të nderuar qytetarë, Rreth 1 vit më parë, kam kallëzuar në prokurorinë speciale SPAK, Drejtorin famëkeq të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit Mariglen Qato dhe kompaninë famoze ‘5D KONSTRUKSION’.
Mariglen Qato në bashkëpunim të hapur me familjarë të tij, nëpërmjet kësaj kompanie kanë përfituar mbi 45 procedura tenderuese me vlerë 30 milionë euro në Bashkinë e Tiranës dhe 3 leje ndërtimi me firmën e pronarit faktit të Inceneratorit të Tiranës, Erion Veliaj.
Kulmi i talljes madje dhe i poshtërimit ndaj organit të akuzës është fakti se 1 leje ndërtimi për këtë kompani, është dhënë pasi është regjistruar kallëzimi në SPAK. Ndërkohë, në nëntor të vitit 2023 kam dorëzuar një dosje të plotë dhe të detajuar me fakte e prova që tregojnë grabitjen e mijëra metrave katrorë tokë në mes të Tiranës, nga kompania ARLIS NDERTIM në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë.
Pronari i kësaj kompanie, i cili ka thyer rekord botëror me ndërtimin e një pallati 7 katësh pa leje mbi kullën ‘Eyes of Tirana’ në Sheshin Skënderbej, jo vetëm që nuk është penalizuar për këtë shkelje, por ka përfituar leje ndërtimi me firmën e Erion Veliajt, mbi një pronë shtetërore e cila nuk ishte në administrim të Bashkisë Tiranë.
Tashmë korrupsioni i rilindjes fatkeqësisht nuk përben më asnjë lajm, edhe pse miliarda euro vidhen e vidhen nga ky sekt në mënyrë të përditshme, por tronditëse është heshtja e drejtësisë së re, verbëria dhe mungesa e guximit për të hetuar deri në fund aferat korruptive që po çojnë në shpopullimin e plotë të vendit, është lajmi më i keq sot për Shqiptarët.
Ndërkohë që SPAK vijon me heshtjen olimpike, Mariglen Qato dhe drejtorë të tjerë të bashkisë, vazhdojnë të majmen me tendera dhe leje ndërtimi. Nga pronarë të një furre buke, sot janë kthyer në investitorë e pronarë biznesesh me vlera dhjetëra milionë euro.
Ndërkohë që SPAK vijon heshtjen dhe gjumin letargjik, Armand Lilo gradohet nga Edi Rama si ‘INVESTITOR STRATEGJIK’. Investitor i cili jo vetëm mund të ndërtojë pa leje 7 kate në qendër të Tiranës, jo vetëm që mund të vjedhë pronën publike ditën për diell, por tashmë si investitor strategjik përjashtohet nga tatimi mbi fitimin për 10 vite.
Të dashur qytetarë,
Edhe unë, si një pjesë e madhe e juaja, kam patur pritshmëri shumë të mëdha për punën dhe rezultatin e organeve të reja të drejtësisë, në luftën kundër korrupsionit.
Por fatkeqësisht, pas një periudhe të gjatë disa mujore, të mbushur me denoncime konkrete, me fakte dhe prova të pakontestueshme për aferën e shekullit, atë të Inceneratorit fantazmë të Tiranës dhe bëmat e gjëmat e korrupsionit nga ana e Bashkisë Tiranë, më duhet t’ju them se SPAK mesa duket, ka vendosur të mbajë anën e të korruptuarve dhe jo të qytetarëve të thjeshtë, që duan të jetojnë e punojnë me ndershmëri në këtë vend.
Megjithatë, luftës tonë për transparencë dhe llogaridhënie, ne do t’i shkojmë deri në fund. Partia Demokratike është e vendosur në luftën e saj pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si e vetmja mënyrë për ta çuar vendin përpara dhe integruar në Bashkimin Europian”. /ZOOM.AL/
“Biznes global me vlerë 70 mld euro”/ Mediat e huaja jehonë anijes me mbetje toksike në Durrës