zoom

In Zoom

Kë po ndihmon SPAK me mbajtjen në sirtar të dosjes për inceneratorin e Tiranës?

Nëse në rastin e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit, Klodian Zoto dhe Klodian Mërtiri kanë korruptuar ministrat e atëhershëm Lefter Koka e Arben Ahmetajt, por për inceneratorin e Tiranës, kë kanë korruptuar?

TIRANË – Kërkesa për arrestimin e ish -zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj u duk si shenjë se SPAK do t’i shkonte deri në fund aferës së inceneratorëve, vjedhjes më të madhe që dyshohet se u është bërë parave publike që nga rrëzimi i komunizmit.

Por sa më shumë kalojnë ditët me Ahmetajn në arrati, aq më të mëdha bëhen pikëpyetjet mbi seriozitetin e SPAK për këtë çështje sensitive.

Një ish -ministër dhe një deputet në burg së bashku me disa persona të tjerë dhe një ish-zëvendëskryeministër në arrati, duket si bilanc i kënaqshëm për statistikat e Drejtësisë së Re.

Por a është drejtësia re statistikë apo ajo duhet të japë prova se është larg ndikimit politik dhe të parasë, siç ishte ajo e vjetra që u rrëzua përmes vetting-ut?

A duhet të kënaqen shqiptarët me arratisjen nga Shqipëria të ish -numrit dy të qeverisë dhe gjuetinë ndaj dhjetra biznesmenëve që SPAK pretendon se kanë blerë e shitur disa nga shtëpitë e Ahmetajt, por që shumë prej të cilëve, siç thonë ekspertë të jurisprudencës që kanë parë dosjen, kanë bërë thjesht biznes të ligjshëm?

Nëse SPAK po vepron me idenë, sa më e gjatë lista, aq më të mëdha meritat dhe aq më të vogla mundësitë për të parë detajet, gabimi është fatal dhe pasojat do të duhen dekada për t’u riparuar.

Shqiptarët presin që vjedhjes së miliona eurove të mbledhura nga taksat e tyre t’i shkohet deri në fund. Ata që kanë denoncuar aferën e inceneratorëve, kanë dorëzuar në SPAK 3 dosje. Por ajo që konsiderohet si Thembra e Akilit, dosja e Tiranës, është mbuluar nga pluhuri.

Ndërsa po çon përpara drejtësisë ata që kanë vjedhur me Fierin dhe Elbasanin, SPAK po bën sikur nuk e sheh se çfarë ndodh me Tiranën.

Në Sharrë, ku afro 1 milionë qytetarë të Tiranës paguajnë përditë për djegien e plehrave, impianti që do të duhet t’i digjte nuk ekziston.

Në internet, sapo të kërkosh fjalët kyçe “inceneratori i Tiranës”, dalin dhjetra shkrime e foto të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt me një shkresë që mban firmën e tij, e cila, sipas opozitës dhe Komisionit Hetimor Parlamentar për Inceneratorët, është provë flagrante e shkeljes së ligjit nga ana e tij, pasi ka firmosur për llogari të Këshillit Bashkiak, pa e pyetur më parë atë.

Pak ditë më parë, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN, zbuloi se SPAK është në dijeni të faktit që “projekti koncesionar i trantimit të mbetjeve në Tiranë ishte një nismë e kryebashkiakut Erion Veliaj” dhe se pas projektit “qëndronin sërish Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri”.

Nëse në rastin e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit, Klodian Zoto dhe Klodian Mërtiri kanë korruptuar ministrat e atëhershëm Lefter Koka e Arben Ahmetajt, por për inceneratorin e Tiranës, kë kanë korruptuar?
Dhe nëse Zoto e Mërtiri janë në arrati, përse vijojnë të marrin miliona përditë nga inceneratori i Tiranës?

Këto janë pyetjet që presin përgjigje nga SPAK, për të hequr çdo dyshim se kjo strukturë vërtet po bën drejtësi.

Zoom.al ka siguruar të dhëna se ashtu si në rastin e Elbasanit, ku ish -ministri Lefter Koka kishte krijuar disa kompani për të kaluar paratë e inceneratorit në xhepat e tij, edhe në Tiranë po përdoret e njëjta skemë, me disa kompani private, kryesisht të fushës së ndërtimit, që po paguhen për punë të pakryera.

SPAK, sipas burimeve të Zoom.al është në dijeni, sikundër pjesët e dosjes së publikuar nga BIRN treguan se prokurorët janë në dijeni edhe të shumë fakteve të tjera kompromentuese.

“Kryebashkiaku Veliaj ka mohuar publikisht në të shkuarën se ka pasur rol aktiv në procedurat e koncesionit të mbetjeve në Tiranë, por dokumentet hetimore të Prokurorisë së Posaçme, të siguruara nga BIRN, tregojnë se Veliaj ishte nismëtari i këtij projekti dhe se propozimi i tij i hapi dritën jeshile koncesionit të inceneratorit të Tiranës” – shkruan BIRN, një investim ky që solli një reagim të paprecedent të kryebashkiakut për autoren e shkrimit, gazetaren Ola Xama, të cilën, në disa sms private, e quajti “killer me pagesë”.

Dosja e inceneratorit të Tiranës mbetet sprova se Drejtësia e Re e ndërtuar me paratë e amerikanëve dhe europianëve është jashtë ndikimit të politikës, grupeve të caktuara të interesit apo atyre kriminale dhe se në Shqipëri nuk ka të paprekshëm mes njerëzve me pushtet.

Ajo ka emra politikanësh të rëndësishëm, biznesmenësh të lidhur me pushtetin dhe me njëri – tjetrin si një rrjetë merimange për të fshehur sa më shumë veprimet e dyshimta që, siç akuzojnë segmente të caktuara të politikës, kanë një qëllim të vetëm: mbushjen e xhepave të një grushti njerëzish me paratë e taksapaguesve.

Duke mos hapur Tiranën, një koncesion që parashikohet në 430 milionë euro, një shumë disa herë më e madhe se dy inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit së bashku, SPAK jo vetëm po mbron një mega-vjedhje dhe autorët e saj, siç kanë provuar investigime të shumta mediatike, por po kompromenton besueshmërinë e vet dhe reformën në drejtësi, duke i shkaktuar vendit një dëm kolosal që vështirë të rikuperohet. /Zoom.al