Aplikacion
Këtë gjë e ka zbuluar gazeta greke “Kathimerini”, e cila zbulon edhe detajet nga një takimit i zhvilluar mes kryeministrit dhe Vangjel Tavos.
Sipas medias fqinje, në prag të Krishtlindjes, ish-ministri dhe ish-deputeti i Dropullit për shumë vite, Vangjel Tavo, një anëtar i shquar i minoritetit grek dhe mjek privat sot, mori një telefonatë nga Edi Rama, i cili i kërkoi të takoheshin për “një kafe” në Tiranë. Tavo e pranoi ftesën, megjithëse marrëdhëniet mes tyre ishte acaruar pasi Tavo ishte larguar nga Partia Socialiste për të bashkuar forcat me Ilir Metën në themelimin e LSI-së. Kësaj telefonate, Rama i kishte paraprirë në mes të dhjetorit me një tjetër telefonatë me Tavon, këtë herë në nivel njerëzor, për një ngjarje të pakëndshme, pikërisht vdekjen e vajzës së tij në një aksident automobilistik.
“Kathimerini” raporton se Rama dhe Tavo janë takuar në një kafene të njohur në Tirana dhe aty kryeministri shqiptar, pasi i ka shprehur dëshirën për t’i dhënë fund ngërçit me Athinën, i ka kërkuar ndihmë në këtë drejtim që Tavo të marrë përsipër rolin e kryebashkiakut të përkohshëm gjashtëmujor të Himarës. Siç raportojnë kolegët e Tavos, Rama i ka shpjeguar se gjatë kohës që do të jetë kryetar bashkie do të përfundojë gjyqi dhe nëse Beleri shpallet i pafajshëm do të marrë postin e kryetarit, në të kundërt do të shpallen zgjedhjet e reja në Bashkinë e Himarës.
Sipas të njëjtave burime, shkruan “Kathimerini”, Tavo i ka sqaruar Ramës se nuk duhet të harrojë që vjen nga Dropulli dhe jo nga Himara, për të marrë përgjigjen e Ramës se kjo nuk është pengesë. Kryeministri i ka thënë se edhe “anëtarët e tjerë të pakicës greke nuk janë nga Himara, por qeverisin atje”.
Tavo nuk e ka refuzuar propozimin e Ramës dhe thuhet se i ka deklaruar se do të ishte i gatshëm të ndihmonte në zbutjen e situatës. Megjithatë, ai ia bëri të qartë Ramës se do ta pranonte vetëm në rast se do të pranohej nga pala greke, ndërsa theksoi se nuk do të nënshkruajë asnjë vendim apo dokument që mund të ketë lidhje me pronat e grekët e Himarës.
“Kathimerini”, thekson më tej se sipas asaj që Tavo u ka treguar bashkëpunëtorëve të tij të afërt, Rama nuk e hodhi poshtë arsyetimin e tij dhe më pas Tavo njoftoi qeverinë greke, ndërsa çështja mbetet e hapur, pasi në Athinë thuhet se kjo kërkesë nuk është bërë e ditur zyrtarisht nga pala shqiptare.
Burime qeveritare në Athinë pohuan për median greke në të njëjtën kohë se “padyshim personi që do të zgjidhet nuk mund të jetë nga ambienti Rama, por duhet të jetë sa më afër qëndrimeve të minorancës”, ndërsa nuk përjashtuan që ky person të jetë Tavo, duke theksuar se nuk kanë marrë informacion përkatës nga Tirana.
Me emrin e Vangjel Tavos në krye të Bashkisë së Himarës, duket se Rama po e bën për ta paraqitur edhe si të minoritet grek, por edhe si opozitar, pasi vlen të theksohet se ai kandidoi për deputet në Qarkun e Gjirokastrës në vitin 2021 nën logon e LSI-së, por nuk arriti dot që të fitonte
Më herët ishte pikërisht gazeta greke “Kathimerini”, e cila raportoi se përveç Vangjel Tavos, kryeministri Edi Rama kishte dhe dy alternativa të tjera si Ilir Paço dhe Theodhori Çami.
Me sa duket, Rama po përpiqet t’i gjejë një zgjidhje çështjes Beleri pa Belerin, duke piketuar edhe personalitete të tjera minoritare përtej Tavos, ndërsa pala e kryebashkiakut të paraburgosur përpiqet të djegë çdo skenar në këtë drejtim.