Aplikacion
Një ditë pasi Instat na tregoi se ekonomia e vendit është buzë greminës, ministrja e Financave doli të na tregonte të kundërtën. Jo duke përgënjeshtruar numrat apo duke treguar fakte të reja, por duke gënjyer.
Në rend kronologjik Zoom.al do të listojë katër gënjeshtrat që tha sot, më 4 korrik ministrja e Financave Delina Ibrahimaj.
Inflacioni i importuar
Ministrja Ibrahimaj tha se inflacioni i importuar, pra ai që vjen nga jashtë ka ndikimin më të madh në inflacionin vendas dhe për shkak të zhvlerësimit të euros ai vendas është ulur.
Nga analizat e Bankës së Shqipërisë, inflacioni në vend është rritur gjithmonë nga presionet e brendshme, kostot e rritura të prodhimit të kompanive shqiptare. Ndikimi i çmimeve të jashtme është rreth 40% dhe 60% ndikim i brendshëm. Pra, inflacioni në Shqipëri është masivisht autentik.
“Taksa” e jashtëzakonshme
Për të justifikuar rritjen e pazakontë të të ardhurave nga tatimi mbi fitimin, 41% vetëm për tre muajt e parë 2023, ministrja Ibrahimaj tha se kjo ka ndodhur për shkak të mbledhjes së taksës së jashtëzakonshme nga kompanitë e energjisë që llogaritet të jetë miliona euro.
Vetë ministria e Energjisë, në fillim të këtij viti pati njoftuar se taksa e jashtëzakonshme mban vetëm emrin e tillë, por nuk do të mblidhet dhe nuk do të trajtohet si taksë. Këto fitime do të shkojnë në një fond të veçantë që lidhet direkt me indeksimin e pensioneve dhe ndihma sociale.
Llogaritë gabim të rritjes së pagës
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, me ironi, ministrja tha “sigurisht që kemi kalkuluar ndikimin e rritjes së pagave në buxhet, që kur u mor vendimi”.
Në fakt, më pak se një muaj më parë, e njëjta ministre doli në një konferencë urgjente se rritja e pagave do të shtyhet edhe një muaj tjetër, pasi llogaritë nuk janë bërë të sakta.
Investimet e huaja vs. kapitalizimi i bankave
Duke folur për zhvlerësimin e euros, Ibrahimaj citoi se ka pasur ndikim rritja e Investimeve të Huaja në sektorin financiar, ku ka ardhur kapital i jashtëm, pra rritja e kapitalit apo likuiditetit të bankave.
Një shpjegim i tillë nuk ekziston. Në sektorin financiar nuk ka investime të huaja, por flukset hyrëse përcaktohen si zë i “Fondit të Aksionarëve” dhe është rikapitalizim apo rishpërndarje kapitali nga pika mëmë e një banke të huaj në filialin e saj shqiptar, për shembull.
Gjithsesi mashtrimet e ministres janë të justifikueshme në një kohë kur ekonomia është kthyer në një dhimbje koke për qeverinë dhe të dhënat japin sinjale të rrënimit të financave publike. Duke mos vënë në dyshim njohuritë financiare të ministres së kësaj fushe, pasaktësia e saj është shqetësuese. Katër gënjeshtra në pak minuta duket mision i pamundur, por duket se ministrja është gati të bëjë çdo gjë përveç se të na tregojë të vërtetën!/G.T
Bardhi akuza: Balluku miratoi kosto 3 herë më të larta për impiantin fotovoltaik në digën e Zadejës