Aplikacion
“Kastrati grup, ka nënshkruar sot në ambientet e aeroportit “Nënë Tereza”, në Tiranë një marrëveshje të rëndësishme me konglomeratin e mirënjohur francez Lagardère, duke u angazhuar në përpjekje të përbashkëta për zgjerim të mëtejshëm të aktivitetit të dyqaneve duty-free, në të gjithë Shqipërinë” – thuhet në njoftimin për shtyp të grupit.
Dyqanet “Duty Free” janë zona ku mallrat tregtohen pa taksa doganore, praktikisht më lirë sesa çmimet që ato kanë në vendet përkatëse.
Sipas njoftimit, ky bashkëpunim vjen në kuadër të rritjes së jashtëzakonshme të numrit të turistëve që vizitojnë vendin tonë.
Por të ngritur në emër të turizmit “Duty Free Shops” kanë lulëzuar si qendra të kontrabandës në vende të tjera të rajonit e botës.
Në kufirin me Bosnje Hercegovinës dhe Malit të Zi, “Duty Free Shops” ishin thyer në “burimin më të madh të cigareve kontrabandë që hynin në Bosnje”, thuhet në një investigim të Projektit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP).
“Kur qeveria e Malit të Zi nën Milo Gjukanoviç vendosi të rihapte Duty Free Shops në vitin 2005, ato duhej të ndihmonin “turizmin”. Ajo që ata ndihmuan shpejt ishte kontrabanda e cigareve, thotë policia e BiH”, nënvizohet në shkrim.
Nën presionin e Bashkimit Europian, Mali i Zi u detyrua t’i mbyllte 6 dyqanet “Duty Free” në këtë kufi.
Vendi fqinj i kishte mbyllur edhe në vitin 2000 këto dyqane, gjë që çoi në një rënie të konsiderueshme të kontrabandës, sipas policisë së Bosnje Hercegovinës.
Të gjitha “Duty Free Shops”, gjithsej 26, u mbyllën pasi media malazeze citoi gjetjet e doganave dhe policisë se aktivitetet e këtij rrjeti dyqanesh ishin të dyshimta. Sasi të mëdha cigaresh u sekuestruan në rajon, që nuk kishin pulla të doganës malazeze, për të cilat policia beson se vijnë nga “Duty Free Shops”.
“Duty Free Shops në të gjithë Ballkanin janë një burim kryesor i cigareve ilegale. Shumë prej tyre janë në pronësi të politikanëve, biznesmenë të fuqishëm dhe të tjerë me lidhje me krimin e organizuar”, thuhet në investigimin e OCCRP.
“Dyqanet përdoren shpesh për të kontrabanduar cigare ose mallra të tjera: cigaret regjistrohen se shiten në dyqan, por transaksionet nuk kanë ndodhur kurrë, thotë policia” -vijon më tej investigimi.
BE ka ushtruar presion ndaj operatorëve të mbetur “Duty Free” në Ballkan, Rumanisë dhe Bullgarisë. Bullgaria i mbyllin dyqanet brenda tre muajve nga kërkesa.
Një raport i Qendrës për Studime të Demokracisë (CSD), me qëndër në Zyrih të Zvicrës, ngrinte alarmin kohë më parë për milionat që fitoheshin nga kontrabanda e kryer lehtësisht përmes “Duty Free Shops”.
“Kontrabanda e mallrave të akcizës lidhur me tregtinë pa taksa ka qenë një nga burimet më të fuqishme dhe më të qëndrueshme të korrupsionit politik në Bullgari gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit. Funksionimi i pikave të daljeve në zonën kufitare tokësore ka qenë një kanal kryesor për përmbytjen e tregut bullgar me tonelata cigaresh dhe alkooli ilegale dhe shitjen e miliona gallonave benzinë pa akcizë. Fitimi që rezulton, i cili shkon në qindra milionë çdo vit, ka financuar shumë parti bullgare dhe është bërë themeli i oligarkive politike të paprekshme” – citon raporti i CSD.
Në Malin e Zi, “Duty Free Shops” shitën 18.9 milionë euro cigare vetëm në në 9 muaj në kohën e qeverisjes së Gjukanovic.
Në një shkrim tjetër, revista prestigjioze, “THE ECONOMIST” denonconte se kontrabandistët po përdornin dyqanet “Duty Free” në aeroportin më të madh ndërkombëtar të Indisë për të kontrabanduar flori. 8 kilogramë u kapën vetëm në një rast në një tjetër aeroport, atë të Amhedabadit.
Në Malajzi këto dyqane u përdorën për kontrabandë të pijeve alkoolike.
Në Shqipëri kontrabanda e mallrave me akcizë dyshohet se lulëzon në disa pika të kalimit kufitar. “Kastrati Group” është vënë më parë nën akuzë nga gazetarë se kontrabandon naftë përmes Portit të Porto Romanos, ndërsa ekuipazhi i një anije që u kap me naftë kontrabandë një vit më parë, që vijon të qëndrojë në qeli, deklaroi pranë autoriteteve se nafta ishte porositur pikërisht nga “Kastrati”. /Zoom.al