Aplikacion
Deri në vitin 2020 baza detare ishte pronë e ushtrisë shqiptare. Në korrik të atij viti qeveria miratoi një VKM për t’ia dhënë me qira kompanive të dy biznesmenëve të njohur, “Concord Investment” sh.p.k. e Artan Dulakut dhe “Kastrati Group” sh.a. e Shefqet Kastratit.
Dy kompanitë u përfaqësuan përfaqësuar nga shoqëria “Marina Bay Saranda” shpk, si qiramarrëse të 265,000 metër katrorë tokë, në një prej zonave më fitimprurëse të Sarandës, për të ndërtuar një kompleks vilash, hotelesh dhe një port turistik jahtesh për ankorimin e 400 mijë anijeve.
Por pas një kallëzimi të bërë nga ish -zëvendës Komandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari, SPAK arriti në përfundimin se “kryerja e investimit në fushën e turizmit, apo dhe ndërtime të tjera nga investitori, mbi pronën 696 (Baza Ndihmëse, Limion), duhet të ndërpritet, për arsye se disponimi lirisht i kësaj prone nga subjektet private, cënon gatishmërinë dhe operacionalitetin e Forcës Detare, operacionalitet i cili duhet të vazhdojë të kryhet nga organi kompetent që është Komanda e Forcës Detare, pa ndërhyrje të subjekteve private”.
Vendimi i Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit u mor më 24 shkurt 2023.
Dy kompanitë që do të ndërtonin në këtë pronë nuk janë pajtuar me vendimin e kësaj gjykate. Zoom.al mëson se “MARINA BAY SARANDA” SH.P.K e ka çuar çështjen në Gjykatën e Lartë, e cila e ka regjistruar atë më 16 maj, me kërkesën për të shfuqizuar vendimin e GJKKO dhe për të hequr masën e sekuestros preventive.
Sipas VKM-së, që i jep të drejtën “Kastratit” dhe “Concord Investment” për të shfrytëzuar për 35 vjet portin me 1 euro qira, këto kompani, veç vilave, duhet të ndërtonin një bankinë për forcat detare në gjirin e Limionit në Sarandë.
Në kallëzimin e bërë në SPAK, ish-zv.Komandati i Forcës Detare, Artur Meçollari, ka ngarkuar me përgjegjësi edhe presidentin e Republikës, Bajram Begajn, emërimi i të cilit në detyrën e kreut të shtetit nga kryeministri Edi Rama, është komentuar në media si i lidhur me kontratën e firmosur për “Kastrati Group” dhe “Concord Investment” për portin e Limionit, pasi në kohën e firmosjes ai ka mbajtur detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. /Zoom.al
Lexo edhe dy artikuj të tjerë, që mund t’ju interesojnë rreth kësaj çështjeje:
Porti i Limionit, Ish-prokurori: Shkelja penale, e qartë. SPAK të ngrejë akuza ndaj përgjegjësve
Sekuestrimi i Portit të Limionit, çfarë rrezikon vendimi i pjesshëm i SPAK