zoom

Aktualitet

Kapet në Rinas vlonjati me dy mbiemra/ Në kërkim ndërkombëtar për prostitucion e drogë

Një 38-vjeçar nga Vlora u arrestua sot në Rinas, pasi ishte dënuar në mungesë me 8 vjet burg në Itali.

Dritan Hyka, (Asimaj) ishte në kërkim ndërkombëtar pasi ishte shpallur fajtor për akuzat “Shfrytëzim prostitucioni”, “Trafik droge”, “Vjedhje banese, në tentativë” dhe “Shkelje e ligjit për migracionin”, parashikuar nga legjislacioni penal i Italisë.

Për t’i shpëtuar dënimit, 38 -vjeçari nga Selenica e kishte ndryshuar mbiemrin e tij nga Asimaj në Hyka.

Policia tha se arrestimi i tij u bë pasi dokumentat e paraqitura në pikën e kalimit kufitar të Rinasit iu nënshtruan një verifikimi të hollësishëm.

Pas verifikimeve të kryera nga Policia Kufitare, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, ka rezultuar se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, pas dënimit nga Gjykata e Milanos.

AKTIVITETI KRIMINAL

Gjatë vitit 2012, 38 -vjeçari rezulton se ka shfrytëzuar për prostitucion një numër të madh femrash shqiptare dhe rumune, në Milano, Itali.

Gjithashtu, sipas gjykatës së Milanos, ai është përfshirë në trafikimin e lëndës narkotike kokainë, ka mbajtur pa leje armë zjarri pistoletë, në ambiente publike, dhe ka tentuar të vjedhë në një apartament, por nuk ka mundur për shkak të ndërhyrjes së Policisë.

Në vitin 2009, ka shkelur ligjin për migracionin, pasi nuk ka zbatuar vendimin për të mos hyrë në Itali, për 10 vjet.

Pas arrestimit, Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Roma, kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij në Itali. /Zoom.al