zoom

Lajme

Kaosi në Kuvend, flet Ministri i Brendshëm: Nuk tolerojmë dhunën ndaj policisë

Fjala e tij në Kuvend shkaktoi reagime të ashpra të opozitës, një ditë më parë kur seanca u përfshi në një situatë kaotike. Por Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha nuk ka ndërmend të tërhiqet.

Sot, nga Shkodra, me drejtorin e Përgjithshmëm të Policisë në krahun e majtë, ai paralajmëroi këdo, përfshirë edhe deputetët, se dhuna ndaj forcave të policisë nuk do të tolerohet.

“Keqardhje për dhunën ndaj punonjësve të policisë dhe Gardes që ishin atje për të kryer detyrën. E drejta e tubimit do të garantohet gjithmonë, ndërsa e drejta e dhunës, e shkatërrimit, e goditjes së policisë, nuk do të tolerohet” – tha Hoxha.

Opozita akuzoi policinë se ishte e armatosur në protestë dhe se një efektiv i FNSH i drejtori armën një deputeti të saj. Por Ministri i Brendshëm mohoi sërish që policia të kishte armë në protestë.

“Në deklaratën e Policisë së Shtetit është shprehur qartë se nuk ka patur asnjë tentativë për nxjerrje të armës nga policia. Dua të ritheksoj se në Ligjin Për Tubimet janë paracaktuar rastet e përdorimit të armëve të zjarrit. Forcat e Policisë së Shtetit nuk kanë pasur armë zjarri” – theksoi Ministri.

Sipas tij, e gjithë situata e djeshme ishte e lidhur me hapjen e negociatave.

“Sulmi i deputetëve ndaj policisë në prag të antarësimit të Shqiperisë në BE është i papranueshëm, sepse forcat e policisë dhe Garda janë aty për të mbrojtur institucionet kushtetutese” – vijoi më tej ministri.

I pyetur nga gazetarët nëse ka pasur Forca të Ndërhyrjs së Shpejtë dhe arsyen e zhvendosjes së tyre në Parlament, ministri dha këtë përgjigje:

“Forcat e Policisë së Shtetit, të cilat kanë qenë të planizuara në sherbim për mbrojtjen e institucioneve, kanë qenë atje për të bërë detyrën dhe për mbrojtjen e institucioneve. E riktheksoj që ndjej shumë keqardhje që forma dhe mënyra e intimidimit të kësaj maxhorance me mjete shkatërruese e djegëse nuk është forma e duhur dhe bie ndesh me parimet e demokracisë.”

Por cila do të jetë përgjigjja e policisë ndaj Mosbindjes Civile të nisur nga opozita? Ministri i Brendshëm ka këtë paralajmërim:

“Mosbindja civile është një term që po keqpërdoret. Punonjësit e policisë janë atje për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike konform ligjeve. Asnjë kapërcim tjetër nuk do të lejohet në kuadër të mbrojtjes së insitucioneve dhe Kushtetutës.” / Zoom.al